Lajmet e fundit
Veseli: Sektori i teknologjisë informative do të mbështetet edhe më shumë
E Mërkure, 24.01.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare për teknologjinë informative, e cila këtë vit ka trajtuar temën "Sulmet kibernetike dhe privatësia".
Kreu i Kuvendit tha se Kosova ka rini të talentuar me ide inovative, e cila do të mbështetet për të shfrytëzuar sektorin e teknologjisë informative, si mundësi e zhvillimit ekonomik të vendit.
"Interesi i drejtpërdrejtë nacional është që potencialin dhe pasionin e të rinjve tanë për IT ta shndërrojmë në industri të IT-së, e cila pastaj jo vetëm krijon vende pune për të rinjtë tanë, por njëkohësisht u mundëson atyre të krijojnë vende pune edhe për të tjerët", tha kryeparlamentari Veseli.
Ai theksoi se në fushën e teknologjisë informative, janë aktivizuar shumë djem e vajza të talentuar dhe institucionet e Kosovës, siç tha kryeparlamentari Veseli, do tu ndihmojnë edhe më shumë për zhvillimin e këtij sektori.
"Gjatë turit tim të dëgjimit kam takuar djem e vajza shumë të talentuar në këtë fushë. Kam vizituar kompani të ndryshme shumë të suksesshme të teknologjisë dhe jam fascinuar me dijen dhe suksesin e tyre. Duke parë këtë, ka qenë insistim i imi që të themelojmë Ministrinë e Inovacionit. Ky dikaster ju dedikohet vetëm juve dhe përmes buxhetit të saj ju do të mbështeteni për të realizuar idetë e juaja. Por kjo nuk do të jetë e vetmja formë e mbështetjes. Ne do të vazhdojmë t'i mbështesim të gjitha këto iniciativa tuajat edhe në forma të ndryshme, që përfshijnë sa më shumë të rinj të vendit tonë, e që janë me interes të veçantë për vendin tonë", tha kryeparlamentari Veseli.
Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, kryeparlamentari Veseli ka folur edhe për sigurinë kibernetike.
"Industria kibernetike mbetet jashtëzakonisht e fokusuar në konfidencialitet. Thelbësore është siguria, jo vetëm personale por edhe institucionale dhe shtetërore", tha Veseli.