Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Premte, 22.12.2017
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, raportoi lidhur me përmbushjen e obligimeve në kuadër të agjendës evropiane.
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga kryetarja e Komisionit Blerta Deliu-Kodra, ka raportuar ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, lidhur me përmbushjen e obligimeve në kuadër të agjendes evropiane. Fillimisht ministri Sefaj gjatë raportimit të tij ka sqaruar se MPB-ja në kuadër të Planit Kombëtar për Zbatim të MSA-së, për vitin 2017, ka planifikuar gjithsej 98 masa nga të cilat 14 janë masa legjislative dhe 84 sosh janë zbatuese. Gjatë periudhës janar-dhjetor 2017 sipas ministrit Sefaj, nga 14 masat legjislative të planifikuara nga institucioni të cilin e përfaqesion ai, janë përfunduar 5 masa, ndërsa 9 tjera janë në realizimin e sipër.
Nga 84 masa zbatuese të planifikuara në kuadër të PKZMSA-së, sipas ministrit të MPB-së, 45 janë masa që adresohen në vazhdimësi dhe raportohen përmes të dhënave statistikore, andaj konsideroi se janë përmbushur.
Në përgjithësi, ministri Sefaj tha se nga 98 masa për të cilat MPB-ja është përgjegjëse, deri më tani, 77 masa janë përfunduar, ndërsa 21 sosh janë në realizim e sipër.
Anëtarë të Komisionit kërkuan sqarime të shumta nga ministri Sefaj lidhur me përmbushjen e obligimeve në kuadër të agjendës evropiane, mirëpo ata shtruan edhe çështje tjera që ndërlidhen me punën e kësaj ministrie dhe sfidat me të cilat është ballafaquar ky institucion.
Sa i përket menaxhimit të kufirit, sipas ministrit Sefaj, në këtë pikë janë paraparë gjithsej 16 masa zbatuese, prej tyre 13 janë realizuar, ndërsa tri masa janë në realizimn e sipër.
Në çështjet që ngritën anëtarë të Komisionit, lidhur me luftimin e krimit të organizuar, luftën kundër terrorizmit, si dhe luftimin e narkotikëve, ministri Sefaj tha se në fushën e luftimit të krimit të organizuar, nga 13 masat e planifikuara, 10 masa janë përfunduar, ndërsa tri masa janë në realizim e sipër. Ndërsa, në fushën e luftimit të terrorizmit, ministri Sefaj tha se 4 nga 8 masat e planifikuara janë përfunduar.
Pas raportimit të ministrit, Komisioni shqyrtoi edhe përkrahu për miratim në seancë plenare Projektligjin për standardizim, me amendamentet e komisionit funksional, nga aspekti e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.