Lajmet e fundit
Nga vizita e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore... në FSK dhe Shoqatën e Grave Police të Kosovës
E Mërkure, 20.12.2017
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, në përbërje: Duda Balje, kryetare, Mexhide Mjaku-Toapalli dhe Luljeta Veselaj-Gutaj, anëtare, kanë vizituar Ministrinë e FSK-së, ku u takuan me ministrin e kësaj Ministrie, z. Rrustem Berisha dhe koordinatoren e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, znj. Halime Morina, me bashkëpunëtorë. Qëllimi i kësaj vizite ishte që anëtarët e komisionit të njoftohet më për së afërmi me perspektivën, të arriturat dhe sfidat e femrës në sektorin e sigurisë.
Ministri i FSK-së Rrustem Berisha, i njoftoi mysafirët mbi angazhimin e femrës në strukturat e FSK-së, ku bëri të ditur se pjesëmarrja e saj ishte 3.22%, ndërsa tani kemi 8.22%, që është një rritje prej 5%, ndërkaq, nënvizoi se pozita më e lartë e femrave në FSK është ajo me gradën kolonele.
Në këtë takim u tha se, nëse FSK-ja, do të transferohet në Forcë të Armatosur, do të rekomandojnë që pjesëmarrja e femrës në strukturat e FSK-së të rritet akoma më shumë. Anëtarët e komisionit në vazhdim të takimit u interesuan për interesimin e femrës për të qenë pjesë e FSK-së, për kushtet, integrimin, trajtimin, pozitat dhe gradimin e femrës në FSK, si dhe për pjesëmarrjen e femrës në pozitat vendimmarrëse në këtë institucion të rëndësishëm të sigurisë.
Delegacioni i Komisionit, vizituan edhe Shoqatën e Grave Police të Kosovës, ku u priten nga kryetarja e kësaj Shoqate, kolonele, Taibe Canolli. Po ashtu edhe në këtë vizitë qëllimi ishte që anëtaret e Komisioni të njoftohen me perspektivën, të arriturat dhe sfidat e femrës në sektorin e sigurisë.
Kolonelja Canolli, njoftoi anëtarët e Komisionit, se Shoqata e Grave Police, është themeluar në vitin 2013, dhe se është shoqata e parë e Grave Police në Evropën Juglindore, me gjithsej 300 anëtare. Në polici pjesëmarrja e femrës është 14.11%, dhe se kemi një avancim të femrës në polici.
Anëtaret e Komisionit në vazhdim të takimit u interesuan mbi pozitën e femrave në policinë e Kosovës, për kushtet, pozitat dhe gradimin e femrës në Polici, si dhe per pozitën e femrave në proceset vendimmarrëse në këtë institucion.
Në përfundim të këtyre vizitave anëtaret e Komisionit falënderuan përfaqësueset e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në FSK dhe Shoqatën e Grave Police, për përkrahje dhe bashkëpunim.