Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Mërkure, 20.12.2017
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Vjosa Osmani, kryetare e këtij Komisioni, vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, ta shqyrtojë me datë 26 të këtij muaji.
Po ashtu, anëtarët e Komisionit u dakorduan që gjatë shqyrtimit të këtij projektligji në mbledhje të jenë të ftuar kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar (Komisioni i emëruar nga kryeministri Haradinaj), përkatësisht Shpejtim Bulliqi, kryetar i këtij Komisioni.
Pas kësaj është prezantuar hulumtimi parlamentar mbi analizën buxhetore të MPJ-së dhe MDIS, ndërkaq, në fund të këtij takimi, u vendos që anëtarët e Komisionit: Danush Ademi, Time Kadrijaj dhe Doruntinë Maloku, të jenë përfaqësuesit e Komisionit për pjesëmarrje në programin trajnues në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel.