Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Mërkure, 20.12.2017
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, caktoi seancën e radhës të Kuvendit.
Kryesia njëzëri vendosi që Kuvendi të mblidhet të premten, në orën 13:30, në të cilën deputetëve do t'u adresohet Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërkaq lidhur me caktimin e seancës për shqyrtimin e dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, Kryesia nuk gjeti pajtim.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia e Kuvendit shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. Kështu, u kërkua nga grupet parlamentare që të procedojnë sa më shpejtë me propozimin e emrave për kompletimin e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim dhe delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore - SEECP.