Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli pranoi nga kryeministri Haradinaj raportin e punës 100-ditore të qeverisë
E Mërkure, 20.12.2017
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, nga i cili ka pranuar raportin e punës 100-ditore të qeverisë.
Kreu i Kuvendit ka falënderuar kryeministrin për transparencën kundruall deputetëve dhe Kuvendit, si institucioni më i lart ligjvënës dhe përfaqësues, ndërsa bëri të ditur se raporti do t'u shpërndahet ligjvënësve që sot.
Veseli theksoi se 100-ditëshi i punës së qeverisë ishte një periudhë me sfida të shumta, ndërsa shtoi se puna e institucioneve do të vazhdojë në frymën e transparencës dhe të bashkëpunimit, në funksion të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve të Kosovës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Kryeministri Haradinaj, nga ana e tij, tha se në këtë raport është veçuar një pjesë e punës së qeverisë në këto 100 ditë, të cilat ai i konsideroi jo të lehta dhe me vështirësi, por me punë të mira.