Lajmet e fundit
Nga punimet e mbledhjes plenare
E Enjte, 14.12.2017
Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës, nën drejtimin e nënkryetarit të Kuvendit, Kujtim Shala, filloi punimet me deklarime jashtë rendit të ditës, në të cilën deputetët që morën fjalën trajtuan probleme të ndryshme. Në pikën e dytë, pyetje parlamentare, ndërkaq, ministrat dhanë përgjigjet në pyetjet e adresuara.
Pas një pushimi të shkurtër, mbledhja plenare vijoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Ndërmarrjet Sociale. Paraqitjen e këtij projektligji para deputetëve e bëri ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, i cili në fund të fjalës kërkoi mbështetjen e deputetëve për miratim.
Në emër të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, (krytare) bëri arsyetimin për këtë projektligj dhe kërkoi përkrahjen e deputetëve për miratimin e tij.
Projektligji për Ndërmarrjet Sociale mori mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare dhe pas diskutimit të deputetëve që morën fjalën, projektligji u miratua në parim.
Më pas, punimet vijuan me shqyrtimin e Raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i ftuar në Kuvend për të bërë argumentimin e gjetjeve të paraqitura në raport, theksoi se institucionet përgjithësisht përballen me një numër bukur të madh vështirësish. Ai tha se vet Kuvendi përballet me një numër të madh ligjesh, të cilat janë miratuar dhe pas një viti rikthehen përsëri në Kuvend për plotësimin e tyre. Qeveria, sipas tij, ka një numër të ligjeve të pazbatuara, ndërsa drejtësia vuan nga një numër tepër i madh i vendimeve gjyqësore të përfunduara dhe të pazbatuara, si dhe një numër shumë i lartë i çështjeve të pa shqyrtuara.
Pas diskutimeve të deputetëve në emër të grupeve parlamentare, drejtuesi i seancës ndërpreu punimet për pushim.
Pas pushimit, seanca vijoi punimet e drejtuar nga Mufera Srbica - Shinik, (nënkryetare) me diskutimet e deputetëve. Pas shterimit të diskutimeve të deputetëve, drejtuesja ndërpreu seancën.