Lajmet e fundit
Mbledhje e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Hënë, 11.12.2017
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale drejtuar nga Besa Baftiu, kryetare, u shqyrtua Raporti me rekomandime i Avokatit të Popullit, lidhur me të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues në Kosovë. Po ashtu, në këtë mbledhje është diskutuar edhe Draft Rezoluta për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Lidhur me raportin dhe rekomandimet e Avokatit të Popullit, deputetët vlerësuan shqetësimet e ngritura edhe pse raporti është i ndërtuar në opinione dhe jo evidenca të sakta. Ata vlerësuan se për herë të parë vijnë rekomandime të tilla që përfshijnë trajtimin e problemeve mjaft të ndjeshme të shoqërisë kosovare si: marrëdhëniet e parakohshme seksuale dhe mbrojtja gjatë seksit, pasi që ky është një problem që ka prekur moshat e vogla në shkolla dhe me pasoja për jetën, për shkak të shtatzënisë dhe detyrimit të aborteve (abortet e jashtëligjshme), droga si problem tepër i ndjeshëm në shkolla, dhuna në familje dhe jo vetëm, problemi i mbrojtjes, por edhe përpjekjet që duhen bërë nga shteti, për ndihmë ekskluzive për të krijuar mundësinë e risocializimit të këtyre viktimave. Deputetët gjithashtu kërkuan të theksohet një trajtim më i vëmendshëm nga shteti për ish viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, pasi vetëm kompensimi me pension është e pamjaftueshme për gjendjen e tyre të rënduar psikologjike.
Ata vlerësuan edhe rekomandimet për amendamentimin e disa ligjeve, të cilat në disa nene nuk janë të përcaktuara saktë lidhur me detyrimet dhe përgjegjësitë.
Më pas komisioni diskutoi Draft Rezolutën për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku u theksua se ky Draft vijon si vazhdim i objektivave të mijëvjeçarit dhe tashmë ka filluar të hedhë hapat e parë të zbatimit dhe Kosova duhet të ecë paralel me shtetet e tjera, të cilat e kanë nënshkruar. Komisioni miratoi Draft Rezolutën për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm për tu proceduar më tej në Kuvend.