Lajmet e fundit

Komisioni për Buxhet dhe Financa zhvilloi takim me përfaqësuesit e FMN-së

E Premte, 08.12.2017




Komisioni për Buxhet dhe Financa, i prirë nga Lumir Abdixhiku, kyetar, priti sot përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), me të cilët diskutoi lidhur me Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.

Takimi i sotëm është realizuar në vazhdën e një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet komisionit dhe FMN-së, bashkëpunim ky i cili u vlerësua i dobishëm edhe në të ardhmen.

Për sa i përket Projektligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, qëndrimin e FMN-së e bëri të ditur Stephanie Eble, shefe e FMN-së për Kosovë. Ajo tha se Projektligji është diskutuar ndërmjet Qeverisë dhe FMN-së gjatë fazës së draftimit të tij, ndërkaq, nënvizoi se është përkrahur nga ana e tyre.

Përfaqësuesja e FMN-së, Eble, pasi foli për çështjet, të cilat mund të ndikojnë në përmbajtjen fillestare të këtij Projektligji, (siç është çështja me veteranët dhe invalidët e luftës, si dhe çështje të tjera që mund të kenë implikime buxhetore), tërhoqi vëmendjen duke thënë se shpenzimet e parapara duhet të jenë në harmoni me shifrat e paraqitura në Projektligj.

Gjatë takimit u fol edhe për çështje të tjera, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë gjatë procesit të hartimit të Projektligjit për buxhetin, siç janë doganat dhe ATK-ja, përkatësisht nevoja e reformimit të ATK-së.

Kryetari i Komisionit Abdixhiku, ndërkaq, vuri në spikamë angazhimin e Komisionit, që Projektligji të jetë në harmoni me mundësitë reale të implementimit, bazuar edhe në rekomandimet e FMN-së.

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa zhvilloi takim me përfaqësuesit e FMN-së