Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet
E Premte, 08.12.2017
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, shqyrtoi dy raporte, si dhe Projektligjin nr.06/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-115 dhe me Ligjin nr.05/L-080.
Raportet e shqyrtuara gjatë kësaj mbledhjeje janë: Raporti financiar i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) për vitin 2016, si dhe Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2017.
Raportet i paraqitën përfaqësuesit përkatës të këtyre institucioneve, përkatësisht, Kreshnik Gashi, kryesues i Bordit të ARKEP-it, dhe Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Kuvendi të Republikës së Kosovës.
Gjatë shqyrtimit të Raportit të ARKEP-it për vitin 2016, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit Auditorit të Përgjithshëm, të cilët paraqitën të gjeturat lidhur me të.
Komisioni pasi shqyrtoi këto raporteve i përkrahu ato dhe vendosi t'i procedojë tutje, sipas Rregullores së Punës.
Po ashtu, në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të cilin para komisionit e paraqiti zv/ministri i Ministrisë së Financave, Fatmir Gashi.
Më pas, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu po ashtu edhe propozimin e Panelit Seleksionues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekutiv të Bordit të BQK-së.
Në fund të kësaj mbledhjeje, përfaqësuesit e Institutit GAP, me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, paraqitën një udhëzues për ndryshimin/ plotësimin e rregulloreve për procedurat e ndarjes së subvencioneve.