Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion
E Marte, 05.12.2017
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, mbajti sot dëgjim publik me temën: Arritjet, sfidat dhe avancimi në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë këtij takimi, fillimisht folën ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, si dhe drejtori i Agjencionit Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.
Me këtë rast, ministri Tahiri tha se është i përkushtuar që të ketë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërkaq në vijim paraqiti një sërë projektligjesh të cilat do të procedohen në Kuvend për plotësim ndryshim, që kanë të bëjnë me luftimin e këtyre dukurive.
Duke folur lidhur me ndryshimet që do të bëhen në Kodin Penal dhe në atë të Procedurës Penale, ai tha se, përmes këtyre ndryshimeve që po bëhen, po mundësohet një luftë më efikase kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Më tej, si një projektligj i cili po ashtu ndihmon në fuqizimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar ai përmendi edhe atë për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Ai ka përmendur edhe Ligjin e ri për mbrojtjen e informatorëve dhe plotësim ndryshimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, si dhe një sërë ligjesh tjera që do të jenë së shpejti në Kuvend për plotësim-ndryshim, me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës në sistemin e drejtësisë, e që lidhen direkt me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Në vijim, fjalën e mori drejtori i AKK-së, Shaip Havolli. Mes tjerash ai ka përmendur edhe ligjin e ri për këtë agjenci, ndërkaq, prezantoi edhe një sërë të dhënash tjera lidhur me aktivitetet e këtij institucioni. Ai sqaroi se mbi 100 raste AKK-ja i ka dërguar në prokurori dhe se këtë vit kanë trajtuar mbi 130 raste të konfliktit të interesit. Tutje ai ka diskutuar edhe lidhur me strategjinë kundër korrupsionit.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerësoi se në Kosovë mungon vullneti politik për ta luftuar korrupsionin, ndërsa ka shtuar se institucionet e drejtësisë janë të udhëhequra nga persona politik.
Ndërkaq, tutje ai përmendi edhe çështjen e procesit të vetingut.
Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, fillimisht ka përmendur faktin se kushtet janë të mjerueshme për gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë, duke shtuar se përveç papunësisë, një prej problemeve më të mëdha që ka Kosova është krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Haxhiu ka shtuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i brishtë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërkaq, theksoi faktin se pa u bërë një proces i vetingut në Kosovë, nuk do të këtë sistem të pavarur të drejtësisë.
Edhe Bilall Sherifi, ka ngritur shqetësimin e tij lidhur me Ligjin, siç tha ai, që ka të bëjë me suspendimin e njerëzve që janë nën akuza dhe hetime. Kjo sipas tij është antikushtetuese dhe joserioze dhe se assesi nuk guxon të procedohet i tillë në Kuvend.
Korab Sejdiu, gjatë diskutimit të tij tha se është problematike për të folur për korrupsionin, pa folur për drejtësinë, dhe për të folur për drejtësinë pa folur për mentalitet. Ai vlerësoi se problemi nuk ekziston te mungesa e kornizës ligjore, por te mentaliteti. Investimi buxhetor në drejtësi është hapi i parë që duhet bërë, vlerësoi ai.
Ndërsa, Glauk Konjufca, duke shprehur shqetësimin e tij lidhur me çështjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, fillimisht ka përmendur një rast konkret. "Në Kosovë shefi i Organit Shqyrtues të Prokurimit në pikë të ditës terrorizohet prej atyre që donë me ia marr tenderin dhe nuk ka kurrfarë reagimi të politikës dhe të organeve të drejtësisë. Kjo është e tmerrshme. Kjo është situata sot në Kosovë", tha mes tjerash Konjufca, duke shtuar se nuk ka përcaktim politik për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Hajdar Beqa, theksoi se duhet të ketë reforma në drejtësi dhe se duhet të rritet numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ai vlerësoi se duhet të kontribuojmë të gjithë për luftimin kundër këtyre dukurive, duke përmendur kështu përmirësimin që duhet bërë në infrastrukturën ligjore dhe në kontrollin e zbatimit të ligjeve.