Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...
E Hënë, 04.12.2017
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, mbajti sot mbledhjen e radhës, të udhëhequr nga Nait Hasani, kryetar. Në këtë takim u diskutua lidhur me Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), si dhe për Projektligjin për kryeqytetin e Republikës së Kosovës.
Anëtarët e komisionit gjatë diskutimit lidhur me Projektligjin për KPMSHCK-në, u dakorduan që t'i drejtohen me një kërkesë Agjencionit Kundër Korrupsionit dhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, me anë të se cilës do të kërkohet lista e anëtarëve të të gjitha bordeve. Komisioni, përmes listës së anëtarëve të bordeve, do të mbikëqyrë konfliktet e interesit në mënyrë që t'i evitojë të gjitha shkeljet ligjore. Pas diskutimeve, ky projektligj u përkrah dhe procedua për shqyrtim të mëtejmë.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe për Projektligjin për kryeqytetin e Republikës së Kosovës, gjatë së cilës komisioni vendosi që të organizojë dëgjim publik në mbledhjen e radhës, duke i ftuar të gjithë akterët relevantë të kësaj fusheveprimtarie.