Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Premte, 21.12.2018
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në mbledhjen e mbajtur sot, të kryesuar nga kryetari Ismajl Kurteshi, të ftuar për raportim kishte anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencionit për Akreditim të Kosovës.
Avni Gashi, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, gjatë raportimit në komision e vlerësoi të suksesshme punën e agjensionit për periudhën korrik - dhjetor. Të arritur ai e konsideroi ri-aplikimin e AKA-së në ENKA dhe EQAR.
"Një prej sukseseve më të mëdha është ri-aplikimi në këto agjencione apo organizata, si ENKA dhe EQAR. Është vlerësuar pozitivisht puna jonë në këto organizata. Vizita nga EQAR është paraparë të jetë në mars, ndërsa në ENKA në shtator. Besoj se do të pranohemi në këtë organizatë", tha Gashi.
Tutje Gashi shtoi se një prej rekomandimeve është që AKA-ja të jetë agjencion i pavarur dhe ta ketë një ligj të veçantë që e rregullon këtë.
"Një prej rekomandimeve ka qenë që agjencioni të jetë i pavarur. Është vlerësuar që funksionimi i agjencionit të rregullohet me ligj i veçantë dhe tani jemi jemi në fazën finale të draftimit të këtij projektligji në qeveri", theksoi Gashi.
Anëtari i Këshillit për Cilësi në Agjencinë Kosovare të Akreditimit, Gazmend Luboteni, foli për aktivitet e zhvilluar në këtë institucion, ai theksoi se është themeluar komisioni për ankesa, pasi që sipas tij, kjo ka qenë një nevojë urgjente e agjencionit.
"Kryesisht kemi pasur aktivitete për ndryshimin e rregullativës ligjore, ngase një nga çështjet urgjente ka qenë themelimi i komisionit të ankesave. Meqë ka pasur probleme në udhëzimin administrativ, kemi kërkuar që në mënyrë urgjente të formohet komisioni i ankesave. Është lajm i mirë që më në fund ky komision është formuar. I kemi tre anëtarë të përhershëm dhe dy rezervë", deklaroi Luboteni.
Fjalën e mori edhe anëtari tjetër i KSHC-së, Fisnik Gashi, i cili foli për çështjen e sistemin e ri të verifikimit dhe akreditimit.
Anëtarët e komisionit u deklaruan se e mbështesin kërkesën që AKA të jetë institucion i pavarur. Po ashtu u shtrua çështja e gjashtë universiteteve të paakredituara shtetërore, mungesa e monitorimit të universiteteve etj.
Përfaqësuesit e AKA-së dhanë sqarimet dhe arsyetimet e tyre lidhur me çështjet e parashtruara nga deputetët.