Lajmet e fundit

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

E Mërkure, 31.10.2018




Me kërkesë të 42 deputetëve, Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Hapjen e seancës e bëri kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili i dha fjalën kryetarit të GP të LDK-së, Abdullah Hoti, në cilësinë e iniciuesit të kësaj seance.

Ky i fundit prezantoi rezolutën që parasheh vetëm një pikë, nëpërmjet të cilës i ndalohet presidentit negocimi për kufijtë. Ai kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t'i jepet fund njëherë e mirë këtij propozimi të presidentit, duke vlerësuar se territori i takon shtetit, e jo presidentit, apo ndonjërit prej pushteteve.

Përfaqësues të grupeve të tjera parlamentare, Memli Krasniqi (PDK), Glauk Konjufca (LVV), Visar Ymeri (PSD), Ahmet Isufi (AAK), Bilall Sherifi (Nisma), si dhe deputetë të tjerë të Kuvendit, diskutuan gjerësisht lidhur me dialogun me Serbinë, duke shprehu pikëpamjet e tyre dhe të subjekteve që përfaqësojnë, përkitazi me këtë proces.

Fjalën e mori edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili propozoi që të ulen të gjitha grupet parlamentare dhe të hartojnë një rezolutë të përbashkët, për të cilën do të ketë pajtim edhe nga presidenti, Hashim Thaçi.

"Ne këtë punë mund ta përfundojmë shumë shpejt, për arsye se të gjitha ato çfarë u thanë janë çështje për të cilat mund të ulemi dhe bashkërisht të hartojmë një rezolutë dhe platformë e përbashkët, nëse vërtet mendojmë për sovranitetin, integritetin e Republikës së Kosovës dhe nëse vërtet mendojmë se si do të jetë e ardhmja e shtetit tonë të pavarur dhe sovran", theksoi kryeparlmentari Veseli.

Në seancë folën edhe përfaqësues të qeverisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj e konsideroi legjitime që secili subjekt politik në Kuvend të Kosovës të paraqes një rezolutë, mirëpo, sipas tij, vota e deputetëve nganjëherë është më e fuqishme se vet ligji, duke e përmendur kështu votimin për ushtrinë.

"Ne e dimë se rrugëtimi ynë më tutje po na trumbetohet si kompromis i radhës, mirëpo mos të harrojmë se themelet e kompromisit ne i kemi në Kushtetutën tonë, është pakoja e Ahtisarit. Ato kompromise të atëhershme janë të gjalla edhe prej nesh pritet të zbatohen", tha Haradinaj.

Pas shterjes së debatit, Avdullah Hoti edhe njëherë paraqiti propozim-rezolutën e hartuar në bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje dhe deputetët e Alternativës, sipas së cilës, territori i Kosovës është një dhe i pandashëm dhe as presidenti as askush nuk është kompetent të negociojë për të.

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhanë qëndrimet e tyre.

Nga Grupi Parlamentar i PDK-së, Memli Krasniqi tha se asnjë nga pikat e propozuara nga ai gjatë ditës, në emër të koalicionit qeverisës, nuk janë marrë parasysh nga ana e propozuesit të rezolutës. Krasniqi bëri thirrje që të diskutohen të gjitha pikat dhe të nxirret një rezolutë të harmonizuar, me përkrahje të gjerë parlamentare.

Edhe Ahmet Isufi (AAK) e Bilall Sherifi (Nisma) theksuan nevojën e harmonizimit të rezolutës.

Në mungesë të kuorumit, kryetari i GP të LDK-së propozoi që rezoluta të hidhet në votim nesër, para fillimit të seancës, të paraparë në orë 10:00.

 

 

 

 

 

Seanca e jashtëzakonshme 4Seanca e jashtëzakonshme 3Seanca e jashtëzakonshme 2Seanca e jashtëzakonshme 1