Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Enjte, 29.03.2018
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Sala Berisha- Shala, kryetare e këtij komisioni, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe ata të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), raportuan për gjendjen në sektorin elektro energjetik në vend.
Duke paraqitur gjendjen në këtë sektor, përfaqësuesit e këtyre institucioneve vlerësuan se ajo është shumë e rëndë, ndërkaq, faktorët që kanë ndikuar në krijimin e saj, vlerësua ata, janë të shumtë dhe të natyrave të ndryshme.
Përfaqësuesi i ZRRE-së Arsim Janova, tha se gjendja jo e mirë në këtë sektor është si pasojë e vendimit të mëhershëm të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, të cilat e kanë vlerësuar të padrejtë mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për katër komunat veriore, nëpërmjet faturimit të energjisë nga pjesa tjetër e qytetarëve.
Sipas tij, për shkak të pezullimit të faturimit të energjisë në ato komuna, si dhe ulja e prodhimit në KEK, ka imponuar që energjia elektrike për komunat në veri të vendit të sigurohet nëpërmjet rrjetit të interkonjeksionit evropian, në një sasi prej 113 Giga Watësh, e që ka arritur shumën financiare prej 5. 5 milionë euro.
Ai u është përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve, të cilët ndër të tjera kërkuan sqarime edhe për masat e marra nga ZRRE-ja për jetësimin e rekomandimeve të dala nga seanca plenare e Kuvendit, lidhur me energjinë e konsumuar nga komunat verore.
Situatën në këtë sektor, ngjashëm të rëndë dhe për arsye të njëjta e paraqiti edhe Ilir Shala, kryeshef ekzekutiv në KOSTT.
Ai sqaroi se 5 milionë e gjysmë shpenzime janë krijuar ndaj rrjetit evropian të energjisë, prej 2 dhjetori deri më 3 mars, dhe vijoi se, KOSST, tashmë përballet me dy borxhe: ndaj rrjetit të interkonjeksionit evropian dhe ndaj KEK-ut.
Në vijim të fjalës së tij, ai bëri të ditur se Qeveria, për muajin mars ka ndarë mjete prej një milion euro për KOSTT, të cilat nuk janë të mjaftueshme për sanimin e gjendjes së krijuar.
Më pas, ai bëri të ditur se KOSTT, ka shqyrtuar mundësitë që nëpërmjet ministrisë së linjës, për kompensimin e këtyre mjeteve të kërkojnë ndihmë nga BE-ja.
Në fund, përfaqësuesit e ZRRE-së dhe KOSTT, vlerësuan se mënyra e vetme për zgjidhjen e kësaj situate është zbatimi marrëveshjes së energjisë elektrike, e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë procesit të dialogut në Bruksel.