Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Mërkure, 28.03.2018
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e Blerta Deliu-Kodra, raportoi ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.
Fillimisht kryetarja e Komisionit, Blerta Deliu, pasi përmendi faktin se Kuvendi ka miratuar Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kriterin kyç për liberalizmin e vizave, kërkoi nga ministrja Hoxha sqarime edhe lidhur me përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizimin të vizave, atë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Duke kërkuar të dhëna lidhur me sfidat kryesore në luftimin e këtyre dukurive, Deliu, pyeti ministren Hoxha se a do të lëvizin lirshëm qytetarët e Kosovës në fund të këtij viti.
Ndërkaq, disa nga anëtarët e Komisionit shfaqën kritika për sistemin e drejtësisë, duke kërkuar hapa dhe angazhim konkret në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ata po ashtu kërkuan të dhëna edhe lidhur me pakon ligjore që ndërlidhet me çështjen e liberalizimit.
U kërkua po ashtu një bashkëpunim më i madh mes legjislativit dhe ekzekutivit në çështjen e agjendës evropiane.
Ministrja Hoxha, duke u përgjigjur në çështjet që u ngritën nga anëtarë të Komisionit, tha se pas një pune intensive kanë arritur të bindin institucionet e BE-së se Kosova ka kapacitet të zbatojë obligimet e saj në kuadër të procesit të integrimit evropian. Sipas saj, KE-ja ka bërë katër vlerësime të përmbushjes së prioriteteve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, respektivisht, në shkurt 2013, korrik 2014, dhjetor 2015 dhe maj 2016. Duke përmendur faktin se Kuvendi ka plotësuar kriterin kyç, ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, Hoxha tha se kjo tashmë ka përshpejtuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.
"Institucionet e Kosovës kanë bërë dorëzimin e raportit për përmbushjen e kriterit të dytë, respektivisht vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në kuadër të ekipit të përbashkët për luftimin e krimeve serioze, respektivisht udhëheqjen e Prokurorisë Speciale janë shënjuar 39 raste, janë ngritur 30 aktakuza, 23 raste janë në shkallët e ndryshme të shqyrtimit gjyqësor dhe 7 raste janë përmbyllë në formë të vendimit të prerë", sqaroi ministrja Hoxha, duke shtuar se për qëllime të liberalizimit të vizave, kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është i përmbushur. Ajo ka shtuar se janë të vetëdijshëm që lufta kundër kësaj dukurie duhet intensifikuar edhe më shumë, pasi që progresi në këtë fushë është fillimisht në interes të qytetarëve tanë dhe më pas të Bashkimit Evropian.
Duke folur për hapat e ardhshëm të MIE-së, ministrja Hoxha tha se synimi i ministrisë është që gjatë këtij viti të përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme institucionale të BE-së për të siguruar plotësim-ndryshimin e Rregullores së Bashkimit Evropian dhe rrjedhimisht lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ministrja Hoxha tha se presin që të gjitha procedurat të mos marrin më shumë kohë se gjashtë muaj.
Krejtësisht në fund, Hoxha tha se institucionet e Kosovës kanë përfunduar detyrat e veta dhe përgjegjësia është në anën e institucioneve të BE-së për të ndërmarrë hapa institucionalë në afat sa më të shkurtër kohor.
"Unë, si ministre e Integrimit, do të vazhdoj punën intensive në bashkëpunim me gjitha institucionet shtetërore për të përmbyllur procesin e liberalizmit të vizave", tha ajo.
Pas raportimit të ministres Hoxha në këtë Komision, për çështjen e njëjtë, atë për liberalizimin e vizave, raportoi edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Ministri Tahiri theksoi se prioritet për të janë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe të keqpërdorimit të parasë publike.
Ndërkaq, foli në detaje lidhur me masat e ndërmarra nga MD-ja, të cilat ndikojnë në fuqizimin e sundimit të ligjit.
"Nga aspekti i politikbërjes që ndikon në fuqizimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë adresuar nga tri perspektiva: përmbushja e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, adresimi i rekomandimeve nga raporti i vitit 2016, si dhe adresimi ynë konform strategjisë për zgjerim.
"Ndërsa, sa i përket përmbushjes së obligimeve tona në aspektin legjislativ, kam proceduar në Kuvend këto projektligje: Projektligjin për Këshillin Gjyqësor, Projektligjin për Gjykatat, Projektligjin për Këshillin Prokurorial dhe Projektligjin për përgjegjësitë disiplinore ndaj gjyqtarëve e prokurorëve", tha ministri Tahiri duke përmendur edhe rritjen e buxhetit për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial, si dhe rishikimin e Ligjit për mbrojtjen e informatorëve.
Po ashtu, ai foli edhe për rishikimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, që ndërlidhet me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas tij amendamentimi i Kodit Penal ka prodhuar një kod të ri penal, ngase shtoi se janë gjithsej 19 nene të reja që ndërlidhen me adresimin e luftimit të krimit e korrupsionit.
Duke folur lidhur me masat tjera të ndërmarra nga MD-ja që ndikojnë në fuqizimin e luftimit të këtyre dukurive, si dhe në aspektin legjislativ, ministri Tahiri vlerësoi se ka mbledhur të gjithë akterët e sundimit të ligjit, që të ketë një koordinim më të mirë në avancimin e luftës kundër korrupsionit.
Anëtarë të Komisionit, pasi paraqitën një varg shqetësimesh, theksuan se duhet të bëhet një sistem më i avancuar i drejtësisë, duke kërkuar sqarime lidhur me përmbushjen e obligimeve të Ministrisë së Drejtësisë konform agjendës evropiane.
Në vijim, Komisioni ka shqyrtuar shtatë projektligje me amendamente të komisioneve funksionale, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, dhe i përkrahur ato për procedim në mbledhje plenare: Projektligjin për Pajisjet nën Presion, Projektligjin për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Huajt, Projektligjin për Azil, Projektligjin për Metrologji, Projektligjin për Kërkesat Teknike për Produkte dhe Vlerësim të Konformitetit, si dhe Projektligjin për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri nukleare.