Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Marte, 27.03.2018
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga kryetari Ismajl Kurteshi, mbajti dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit.
Në këtë takim të ftuar për të dhënë vërejtjet dhe rekomandimet ishin: ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi, përfaqësues të shoqërisë civile, drejtorë të drejtorive nga shtatë qendra rajonale të Kosovës, përfaqësues të GIZ-it etj.
Ministri Bytyqi, në fillim të takimit, para të pranishmëve tha se Projektligji për Inspektoratin e Arsimit ka një peshë të veçantë për MASHT-in, duke konsideruar se nëpërmjet këtij projektligji, Departamenti dhe Inspektorati do të luajnë një rol të veçantë brenda ministrisë. Ai tha se ky ligj dhe fuqizimi i Inspektoratit do ta ndihmojnë shumë Ministrinë e Arsimit në ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.
Në vazhdim fjalën e mori përfaqësuesi i organizatës EDGUARD, Rinor Qehaja, i cili tha se ka bërë hulumtime dhe analiza duke e krahasuar projektligjin e hartuar nga komisioni me atë të vendeve të rajonit.
Deputetja Teuta Haxhiu konsideroi se nuk mund të ketë ngritje të cilësisë në arsim pa një inspektorat profesional.
Ndërkaq, deputeti Nezir Çoçaj propozoi që të themelohet një agjenci e pavarur e inspektoratit, e cila do t'i jepte llogari qeverisë. Po ashtu, Çoçaj kërkoi rritjen e numrit të inspektorëve të arsimit dhe ngritjen e pagave.
Drejtorët e drejtorive regjionale, kërkuan që të bëhen përgatitje profesionale lidhur me përzgjedhjen e inspektorëve të arsimit, si dhe të ketë bashkëpunim në mes inspektoratit dhe drejtorive komunale.
Dukagjin Popovci, nga Qendra për Arsim në Kosovë, tha se ky projektligj ka tre elemente shtesë nga ligji i kaluar: statusin, ndarjen e inspektoratit në pedagogjik dhe administrativ, si dhe vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.
Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, dëgjimin e sotëm e konsideroi mjaft të rëndësishëm, ndërsa propozimet e të pranishmëve të vyera për komisionin, në funksion të hartimit të një ligji sa më përmbajtësor dhe të zbatueshëm.
Në fund të takimit të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit e hartimit të këtij projektligji u dakorduan që komentet dhe rekomandimet t'i dërgojnë me shkrim.