Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare

E Premte, 23.03.2018




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, vijoi punimet me shqyrtimin dhe votimin e pikave të mbetura nga seanca e datës 16. 3. 2018.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti (drejtues i seancës) filloi punimet me pikën e votimit të rekomandimeve nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e dhunshme të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Para se të fillonte procesi i votimit kryesuesi i seancës ia adresoi fjalën kryetarit të grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, i cili kërkoi shtyrjen e kësaj pike për shkak të mungesës së 7 deputetëve të saj.Të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare pranuan shtyrjen e kësaj pike dhe pas votimit u miratua që kjo pikë të vijojë seancën e ardhshme.

Më pas puna vijoi me shqyrtimin e Propozim-Programit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2018. Nënkryetari Haliti theksoi se puna për realizimin e programit të Kuvendit duhet të përshpejtohet për miratimin e sa më shumë ligjeve.

Pothuaj të gjithë kryetarët e komisioneve morën fjalën dhe përveç shqetësimeve të ndryshme që ngritën, të hasura gjatë punës, parimisht pranuan rritjen e dinamikës së punës për realizimin e programit të punës së Kuvendit.

Deputetët miratuan Propozim-Programin e punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2018.

Drejtuesi i seancës, tashmë nënkryetari Shala ia kaloi fjalën deputetit Lumnir Abdixhiku, i cili në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa kërkoi një mocion për përfshirjen e një pike të re, shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr.04/L-115 dhe me ligjin Nr.05/L-080, i cili me votim u miratua për tu futur në procedurë për tu trajtuar në këtë seancë.

Në vazhdim, në emër të Komisionit për Legjislacion..., kryetarja Albulena Haxhiu paraqiti Projekt-rregulloren e re të Kuvendit, punën që është bërë nga komisioni si dhe ndryshimet e reja që janë paraqitur në përmbajtjen e saj. Në përfundim të fjalës, deputetja Haxhiu kërkoi nga deputetët mbështetjen për miratimin në parim të kësaj Projekt-rregulloreje.

Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputetit Arben Gashi paraqiti kundërshtimet lidhur me këtë Projekt-rregullore dhe deklaroi votën kundër saj.

Kryetarët e grupeve të tjera parlamentare pasi paraqitën vërejtjet e tyre, deklaruan mbështetjen, për miratim në parim të Projekt-rregullores.

Pas pushimit seanca vijoi punimet nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Pas përfundimit të diskutimeve të deputetëve lidhur me shqyrtimin e parë të Projekt-Rregullores së Kuvendit, seanca vijoi punimet me shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin e Autostradës Kijevë-Zahaq. Ky projektligj, gjeti përkrahjen e plotë në diskutimet e deputetëve.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Veseli, bëri një shkëputje duke ia dhënë fjalën deputetes Blerta Deliu, e cila lidhur me projektligjet që kanë të bëjnë me agjendën për reforma evropiane, tha se duhet të zhvillohen me procedurë të përshpejtuar, ndaj kërkoi një shmangie të rregullores. Me 66 vota pro, Kuvendi miratoi propozimin.

Puna vijoi me shqyrtimin e Raportit të performancës për ndërmarrjet publike për vitin 2015 dhe 2016. Drejtuesi i seancës ia kaloi fjalën përfaqësuesit të qeverisë, ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, i cili bëri arsyetimin e raportit të performancës për ndërmarrjet publike.

Pas deklarimeve të përfaqësuesve të grupeve parlamentare, u kalua tek deklarimet e deputetëve.

Në këtë seancë, u shqyrtua edhe Projektligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim.

Seanca vazhdon punimet të premten, më 30 mars, në orën 10:00.

 

Nga vazhdimi i seancës plenareNga vazhdimi i seancës plenareNga vazhdimi i seancës plenare