Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare

E Enjte, 15.03.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vazhduar punimet nën udhëheqjen e nënkryetarit Xhavit Haliti, me pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur me 2 dhe 8 mars 2018.

Pas shterimit të debatit lidhur me pikat e mbetura vetëm për votim, është filluar me votimin e projektligjeve.

Në fillim të seancës Kuvendi ka miratuar raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016.
Më pas, Kuvendi miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim Ada.

Në vazhdim, Kuvendi miratoi në parim 12 projektligje: Projektligjin për Miniera dhe Minerale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-034, Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit, Projektligjin për produkte të ndërtimit, Projektligjin për inovacion shkencor dhe transfer të dijes dhe teknologjisë, Projektligjin për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit, Projektligjin për shërbimet postare, Projektligjin për Metrologji, Projektligjin për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, Projektligjin për gjak dhe përbërës të gjakut, si dhe Projektligjin për masat mbrojtëse në importe.

Në pikën e rendit të ditës lidhur me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për shoqëritë tregtare, fjalën e mori ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, përkitazi me amendamentin e 12, të propozuar nga deputetja Mimoza Kusari-Lila. Hasani vlerësoi se amendamenti 12 i këtij projektligji nuk duhet të miratohet, meqë sipas tij, pjesëmarrja e grave në borde me dyzet për qind, është kushtëzuese dhe krijon vështirësi në zbatim të ligjit. Përkitazi me këtë amendament është zhvilluar debat nga të gjitha grupet parlamentare, si dhe gratë deputete. Gratë e të gjitha subjekteve politike e kanë përkrahur këtë amendament, duke konsideruar se ai përkrahë dhe fuqizon gruan në bordet e ndërmarrjeve private. Megjithatë, ky amendament nga shumica e deputetëve të pozitës u konsiderua imponues dhe ndërhyrje shtetërore tek ndërmarrjet private.

Pas debatit ky amendament është hedhur në votim dhe me shumicë votash është miratuar. Më pas, Kuvendi miratoi edhe projektligjin në tërësi.

Në vazhdim të seancës, është bërë përzgjedhja e kandidatit për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Me votim të fshehtë, deputetët zgjodhën Fehmi Mehmetin Guvernator të BQK-së.

Pjesa e dytë e mbledhjes së Kuvendit, vazhdoi me shqyrtimin e Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Pas procedurave të votimit të fshehtë, numër më të madh votash morën Selman Hoti dhe Izet Rushiti, duke u zgjedhur kështu anëtarë të këtij Bordi.

Është vazhduar më pas me zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, me mandat trevjeçar. Me shumicë votash, nga komuniteti pakicë u zgjodh Mariana Adamoviq, ndërkaq sa i përket anëtarit nga komuniteti shumicë shqiptar, pasi që asnjëri kandidat i propozuar nuk arriti votat e mjaftueshme, mbetet që konkursi të përsëritet prapë.

Kuvendi bëri edhe zgjedhjen e një anëtari të Bordit për Ankesa. Pas procedurës së votimit të fshehtë, me shumicë votash u zgjodh kandidati Ilaz Rudaku.

Në vazhdim, Kuvendi miratoi edhe Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 07/21, dt. 22.12.2017 në lidhje me Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Tutje, deputetet me shumicë votash i dhanë përkrahje Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës.

Po ashtu, në këtë mbledhje u Formua Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari nga radhët e komunitetit shqiptar dhe dy anëtarëve nga radhët e komuniteteve jo-shqiptare, të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Pas hedhjes në votim nga ana e deputetëve, u miratua Propozim-rezolutës në lidhje me dhunën në familje dhe adresimin institucional.

Ndërkaq, lidhur me debatin parlamentar sipas kërkesës të nënkryetarit të Kuvendit, Kujtim Shala dhe pesë deputetëve nënshkrues lidhur me takimin IV të përbashkët të Komisionit Parlamentar të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, BE-Kosovë, të mbajtur më 17-19 janar 2018, në Strasburg, Francë, Arben Gashi, për shkak të humbjes së aktualitetit të kësaj teme, deputeti Arben Gashi, në emër të GP të LDK-së, e tërhoqi nga rendi i ditës.

 

Nga vazhdimi i seancës plenareNga vazhdimi i seancës plenareNga vazhdimi i seancës plenare