Lajmet e fundit
Takim i Komisionit të Posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese
E Hënë, 05.03.2018
Komisioni i Posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, shqyrtoi sot aplikacionet e kandidatëve për pesë anëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, u bë vlerësimi i përmbushjes së kritereve të kandidatëve, të përcaktuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Komisioni konstatoi se nga 30 të nominuarit, kushtet formalo-juridike për të qenë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese i plotësojnë 28 të nominuar: Emrush Kastrati, Besfort Rrecaj, Hashim Çollaku, Shqipdon Fazliu, Remzije Istrefi-Peci, Musa Dragusha, Erdogan Haxhibeqiri, Idain Smailji, Shqipe Ibraj - Mala, Radomir Laban, Ramadan Gashi, Makfirete Krasniqi, Vjollca Kroçi-Gërxhaliu, Nebojša Boričić, Shkëmb Manaj, Vigan Qorrolli, Ramë Hyseni, Rafet Haxhaj, Sadik Haxhiu, Çlirim Hajdini, Bajram Ljatifi, Eset Rama, Zef Prenrecaj, Anton Nokaj, Hajzer Salihu, Nexhmi Rexhepi, Sylejman Shumolli dhe Safet Hoxha.
Në bazë të planit të veprimit, Komisioni vendosi që testi me shkrim i të nominuarve të mbahet me 12 mars 2018, ndërsa intervistimi me gojë më 16 mars 2018.