Lajmet e fundit

Për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemne

E Diel, 18.02.2018




Intonimi i himnit shtetëror, ka shënuar fillimin e seancës së sotme solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në vazhdën e kremtimeve të 10 vjetorit të pavarësisë së vendit.

Në këtë seancë, e cila u karakterizua nga një atmosferë shumë festive, është kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, ndërkaq, në të merrnin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, si dhe presidenti aktual i këtij vendi, Ilir Meta, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kabineti qeveritar dhe përfaqësues diplomatik të shteteve mike të vendit tonë.

Po ashtu, pjesëmarrës së kësaj seancë ishin edhe personalitete të tjera nga rajoni e bota, ish presidentë dhe ish kryeministra, ambasadorë e diplomatë të shquar, në mesin e të cilëve edhe kongresmeni amerikan, miku i madh i Kosovës, Eliot Engel, të cilët kanë kontribuar në jetësimin e pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast, të pranishmëve fillimisht u është drejtuar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ndër të tjera tha:" Në dekadën e dytë të pavarësisë, na duhet më shumë punë e përgjegjësi. Sfida e transformimit ekonomik të vendit është më e lehtë se çlirimi dhe ndërtimi i shtetit. Duhet të veprojmë për të krijuar kushtet e një ritmi tjetër, shumë më të shpejtë e përmbajtjesor të zhvillimit ekonomik. Dekada e dytë e pavarësisë, duhet të jetë dekada e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Dashuria dhe krenaria për vendin nuk burojnë vetëm nga përvoja e së kaluarës por mbi të gjitha nga besimi se ky vend krijon kushte për jetë dinjitoze të qytetarëve të tij. Që të arrihet kjo, në rend të parë duhet një kthesë e madhe në qasjen dhe sjelljen tonë politike. Duhet të çlirohemi nga barra e agjendave negative, debateve shterpe, nga gara e patriotizmit folklorik, nga barra e politikës që në vend të alternativave zhvilluese, prodhon vetëm etiketa negative kundër njëri-tjetrit.

Politika duhet t'u kthehet qytetarëve, si besim dhe mekanizëm në shërbim të tyre. Politika u përket qytetarëve, përditshmërisë së tyre jetësore dhe të ardhmes së tyre. Ky është ligj themelor i demokracisë së vërtetë. Nëse do t'ia dalim ta bëjmë këtë kthesë morale në politikën tonë: përballja me sfidat e dekadës së dytë të pavarësisë do të jetë më e lehtë, ecja përpara në të gjitha proceset shumë më e shpejtë, transformimi ekonomik - realitet, jeta e qytetarit tonë do të jetë më e mirë, shanset për rininë - më të mëdha, rehatia e moshës së tretë - e siguruar, do të kemi shëndetësi shumë më të mirë për qytetarët tanë, edukim në standardet bashkëkohore për të rinjtë e Kosovës, ushtri të Kosovës, e gatshme për të qenë anëtare e denjë e NATO-s, subjektivitet më të fuqishëm ndërkombëtar të vendit tonë.

Ne mund ta bëjmë këtë. Dhe, duhet ta bëjmë këtë. Së bashku e kemi arritur lirinë me 1999. Së bashku e kemi bërë shtetin me 2008. Së bashku do ta bëjmë Kosovën vend krenar.

Gëzuar Dita e Pavarësisë!"​.

Pas kësaj, fjalën e mori kongresmeni amerikan Eliot Engel, i cili fillimisht, në mënyrë kronologjike përshkruajti angazhimet e tija politike në mbështetje të kauzës tonë për liri. Duke vënë në pah të kaluarën e vendit tonë, ai mes tjerash u shpreh:" Edi ku keni qenë, e di ku keni arritur, i di tragjeditë e viteve '99-ta, shkeljen e të drejtave të njeriut, e di që njerëzit, bashkë me Shtetet e Bashkuara, është dashur ta përfundojnë luftën e Millosheviqit, dhe e di që ka pasur një dekadë të stagnimit dhe pritjes për pavarësi", dhe më pas shtoi:" Pas gjithë atyre pritjeve për ta pasur këtë pavarësi, ia kemi arritur. 10 vjet pas pavarësisë, e dimë që ka gjëra për të punuar. Dhe për këtë mendoj se duhet të reflektojmë për atë se, jo qka duhet të punohet, por, ku jemi dhe si kemi ardhur deri këtu".

Me këtë rast, kongresmeni Engel, në fjalën e tij vuri theksin edhe në rëndësinë e arritjes së marrëveshjes ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi për shënjimin e kufirit ndërmjet të dyja shteteve.

Lidhur me këtë marrëveshje ai shprehu bindjen se Kuvendi do ta miratojë atë, për siç vlerësoi ai, që Kosova të mos jetë vendi i vetëm në Ballkan, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë në shtetet e Be-së pa viza. Në fund të fjalës së tij, kongresmeni amerikan, miku i Kosovës Eliot Engel u shpreh: "Kosova duhet të marrë vendime të vështira, sepse janë të rëndësishme që të ecet përpara. Derisa shoh drejt 10 vjeçarit të ardhshëm, dëshiroj që Kosova të jetë e njohur nga të gjitha kombet në botë . Dëshirojë ta shoh Kosovën në NATO, BE dhe në Kombet e Bashkuara".

Pas kësaj, me një fjalë përshëndetëse, të pranishmëve iu është drejtuar edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

 

Me këtë rast, ndër të tjera, kryeministri Rama nënvizoi: "Sot e një dekadë më parë, pas një rrugëtimi shekullorë të mbushur me histori, ngjarje, rrëfime të pabesueshme qëndrese dhe sakrificash, ëndrra dhe ideale të pamposhtura të njerëzve për lirinë e tyre, Kosova realizoi një aspiratë të madhe historike, duke u vendosur si shteti më i ri në hartën politike të globit".

Në fjalën e tij, ai më pas shtoi:" Rezistenca paqësore civile e vitit '90, si dhe shfaqja vendimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në muzgun e fundmë të shekullit XX, është një histori e re, pesha e së cilës tejkalon lartësinë e gjuhës për ta pasqyruar atë në të gjithë përmasat e saj. Vetëm dy dekada më parë, kremtimi i Pavarësisë së Kosovës ishte më shumë një utopi se sa një objektiv i arritshëm në harkun e gjallesës sonë. Kur kompromisi dhe rënja e idealeve politike dukeshin si fat i pashmangshëm, angazhimi i paepur i njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, heronjve të dalë nga gjiri i këtij populli, e ka bërë të mundur më të pamundurën".

Kryeministri i Shqipërisë Rama, në vijim të fjalës së tij me këtë rast po ashtu tha se, Kosova dhe Shqipëria, sot janë dy realitete formalisht të ndara administrative, por, si pjesë e një rrëfimi të përbashkët historik, një ndjenje të unifikuar kombëtare dhe një interesi të pandashëm politik. Ato, vijoi ai, tashmë jetojnë në një fushë të njëjtë mediatike me një ndërveprim të natyrshëm ekonomik dhe një bashkëveprim politik e institucional të vazhdueshëm në funksion të përafrimit të pandalshëm të programit kombëtar të së ardhmes.

Mbi pasqyrën e këtij realiteti të sotëm, vlerësoi kryeministri Rama, nuk është e pamundur të parafytyrohet rruga për të ardhur këtu në Prishtinë, 10 vjet nga sot në kremtimin e 20 vjetorit, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, pa pikë kufitare në Morinë.

Në këtë kontest, kryeministri i Shqipërisë vlerësoi: "Puna e nisur me një mbledhje qeveritare të përbashkët dhe vazhduar me këtë sistem mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe bashkëpunimi në të gjitha rrafshet, duke u kurorëzuar me një sistem jo vetëm të unifikuar arsimor por të garantuar për standarde evropiane, Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo vetëm ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta".

Po pse jo, tha Rama më pas, duke hedhur edhe idenë e një presidenti simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Ky përfytyrim, vlerësoi ai, sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet. E ardhmja iu takon atyre që i paraprijnë asaj, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 

Për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemnePër nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kuvendi mbajti seancë solemne