Lajmet e fundit
Nga seanca solemne e Kuvendit
E Marte, 13.02.2018
Për nder të Presidentit të Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti sot një seancë solemne. Para seancës, presidenti slloven është pritur në një takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Preisdenti Pahor, nën duartrokitjet e deputetëve hyri në sallë i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryetar Veseli para deputetëve ndër të tjera tha: "Vizita e Presidentit Pahor në Kosovë është dëshmi e partneritetit dhe miqësisë që kemi ndërtuar në mes dy shteteve tona. Sllovenia në vazhdimësi ka qenë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj historike. Duke pasur këtë mbështetje, sot Kosova ndihet më e sigurtë dhe më e fuqishme në rrugën e saj euro-atlantike".
Ai theksoi se adresimi i presidentit slloven Borut Pahor në Kuvendin e Kosovës shpreh më së miri frymën e partneritetit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Më pas, për të përshëndetur deputetët me një fjalë rasti kryetari i Kuvendit ia kaloi fjalën presidentit Pahor.
Në fjalën e tij, presidenti Pahor tha se ashtu sikurse sllovenët, edhe kosovarët e kanë themeluar shtetin e pavarur.
"Në këtë aspekt kam ardhur në Kosovë si një mik i shqiptarëve të Kosovës, i serbëve dhe si një mik i të gjitha etnive të tjera që jetojnë në Kosovë. Është tejet e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës që t'i ruaj dhe fuqizojë të drejtat e komuniteteve. Pavarësisht problemeve, është në rrugën e saj që t'i përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët e saj", tha Pahor.
Ai tha se i mbështet përpjekjet e Kosovës dhe Serbisë që t'i zgjedhin problemet e hapura përmes negociatave të mbështetura nga BE-ja.
"Është e rëndësishme që të zgjidhen problemet dhe të thellohet bashkëpunimi i përgjithshëm. Po i jap vetes të drejtë që t'ju them, vazhdoni dialogun..., jo vetëm për zgjidhjen e problemeve të dy vendeve, por edhe krijimin e një klime të mirë për tërë rajonin, në mënyrë që të bindet BE-ja që edhe këto vende duhet të jenë pjesë e BE-së. Unë në përgjithësi e mbështes strategjinë e BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit perëndimor", tha Pahor.
Ai ka inkurajuar deputetët që ta zgjedhin problemin e kufirit me Malin e Zi në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e BE-së.
"Dhe për këtë Sllovenia do t'ju ndihmojë. Përgjegjësi e BE-së është që të na hap dyert, mirëpo ne jemi përgjegjës për krijimin e bashkëpunimit. Është një detyrë e vështirë, por në fund njerëzit tanë shpërblehen. Vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të arrihet një e ardhme më e mirë", tha Pahor.