Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Premte, 02.02.2018
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në mbledhjen e sotme drejtuar nga Besa Baftiu, kryetare, kishte të ftuar znj. Barbara Gysi, anëtare e Komisionit për Politika Sociale të Parlamentit konfederal të Zvicrës dhe z. Skender Reçica, ministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Hapat për ratifikimin e marrëveshjes se pensioneve në mes të shtetit të Kosovës dhe shtetit të Zvicrës përbënte edhe temën për takimin e sotëm.
Në fjalën e tij ministri Reçica bëri një prezantim të hollësishëm të të gjitha përpjekjeve të institucioneve kosovare, ndër vite, në bashkërendim me grupet teknike dhe sindikatën e pensionistëve kosovarë në Zvicër për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re Zvicër-Kosovë, pas ndërprerjes së marrëveshjes së vjetër në vitin 2010, në kuadrin e marrëveshjes Zvicër - Jugosllavi.
Ai theksoi se aktualisht nuk ka marrëveshje të nënshkruar, siç është deklaruar se është nënshkruar në qershor të vitit 2017, por është përfunduar draft marrëveshja e nënshkruar nga të gjitha grupet teknike dhe pritet të realizohet së shpejti nënshkrimi i kësaj marrëveshje dhe të kalohet në procesin e ratifikimit nga të dy parlamentet, Kosovë dhe Zvicër.
Në fjalën e saj, anëtarja e Komisionit për Politika Sociale të Parlamentit konfederal të Zvicrës, deputetja Barbara Gysi, një deputete mjaft aktive për realizimin e kësaj marrëveshjeje, deklaroi se nuk ka ardhur me funksion zyrtar nga shteti i Zvicrës dhe as nga Parlamenti, por si dashamirëse dhe në bashkëpërpjekje për realizmin e kësaj marrëveshjeje.
Në fund ministri Reçica iu përgjigj të gjitha pyetjeve të shtruara, për sqarim, nga deputetët.