Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit
E Enjte, 01.02.2018
Ka vazhdar sot seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me ndotjen alarmante të ajrit.
Dhjetëra deputetë nga grupe të ndryshme parlamentare kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me nivelin e ndotjes së ajrit në Prishtinë, duke dhënë njëkohësisht, rekomandime për tejkalimin e kësaj gjendjeje.
Pas diskutimeve, Kuvendi, me 73 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi rezolutën e harmonizuar midis grupeve parlamentare, me këtë përmbajtje:
R E Z O L U T Ë
1. Mbrojtja e ambientit të shndërrohet në prioritet shtetëror të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
2. Kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës të rishikohet dhe të plotësohet me masa shtesë Strategjia Nacionale për Mbrojtjen e Mjedisit Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2018.
3. Të vendosen elektro-filtrat e cilësisë së duhur në termocentralet e KEK-ut deri në fund të vitit kalendarik 2018.
4. Të bëhet kontrolli i cilësisë së karburanteve dhe gazit sipas ligjeve në fuqi, si dhe të sigurohen kapacitetet e duhura deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2018 për të siguruar kontroll cilësor.
5. Të ndahet buxhet për izolimin e ndërtesave publike (me prioritet objektet shëndetësore dhe arsimore) për të siguruar efiçiencë të energjisë dhe ngrohje të mjaftueshme dhe ambientalisht të pranueshme.
6. Qeveria obligohet ta shikojë mundësinë që të ndajë buxhet shtesë që do t'i shtohej mjeteve tashmë të dedikuara nga MCC (Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit të SHBA-ve) në vlerë prej 22 milionë USD, me qëllimin që të ndihmohen projektet e ndërlidhura me efiçiencë.
7. Të shtohen investimet kapitale për Ngrohtoren "Termokos", duke siguruar fonde shtesë për dyfishimin e kapacitetit të kogjenerimit, nga 140 MË energji termike të tanishme në 280 MË energji termike, në mënyrë që të zgjerohet më shpejt rrjeti i ngrohtores në të gjitha lagjet e kryeqytetit ku kjo është e mundur nëpërmjet projektit të kogjenerimit. Po ashtu, të krijohen mundësitë që edhe qytetet e tjera të lidhen me këtë projekt, në afat dy vjeçar.
8. Të koordinohet Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, bazuar në kërkesat e komunave dhe institucioneve përkatëse, në përputhje me Strategjinë e rishikuar Nacionale për Mbrojtjen e Mjedisit për mbjellje të fidanëve, krijimin e hapësirave të reja gjelbëruese, si dhe të shikohet mundësia e implementimit të pajisjeve me teknologji të avancuar, si drunjtë e mençur.
9. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga komunat me ajër të ndotur që t'i shikojnë me urgjencë politikat për subvencionimin e qytetarëve që përdorin ngrohje me lëndë djegëse të dëmshme për ambientin dhe këtyre t'u krijohen mekanizma për të kaluar në mënyra më të pastra për ngrohje.
10. Qeveria të marrë vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje të ndërtesave kolektive.
11. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës, respektivisht ministria përkatëse që investitorët e interesuar për investime në ndërtimin e kapaciteteve me Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë t'i ndihmojë që të pajisen me dokumentacion dhe lejet e duhura që të fillojnë ndërtimin e këtyre kapaciteteve të reja, të bazuara në Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë.
12. Të ndërmerren hapa konkretë për lidhjen në gazsjellës nëpërmjet Shqipërisë, i cili krijon mundësinë e përdorimit të gazit, që do të kishte përfitime mjedisore dhe ekonomike.
13. Të ndërmerren hapa konkretë nga Qeveria e Kosovës që t'i ndihmojë qytetet e prekura nga ndotja e ajrit në ndërtimin e flotës për transport publik, duke shikuar edhe mundësitë për ndërtimin e kapaciteteve për transport modern elektrik.
14. Të menaxhohen efektshëm dhe të kontrollohen në mënyrë rigoroze deponitë e mbeturinave.
15. Kërkohet nga Qeveria që të marrë masa në sigurimin e cilësisë në kontrollin teknik të automjeteve sipas ligjeve në fuqi, direktivave të BE-së, me theks të veçantë në kontrollin e cilësisë së gazrave që emitohen nga këto automjete.
16. Kërkohet nga Qeveria dhe institucionet përkatëse që t'i respektojnë të gjitha ligjet në fuqi që ndërlidhen me ndotjen e ambientit, si dhe nga inspektoratet komunale dhe shtetërore që ta monitorojnë situatën në përputhje me ligjin.
17. Të inkurajohen dhe të përkrahen projektet kreative në funksion të përmirësimit të gjendjes aktuale shqetësuese të ndotjes së ajrit.
18. Në rast se Qeveria e Kosovës nuk i zbaton masat e propozuara, Kuvendi i Kosovës t'i fillojë procedurat për ndryshimet e nenit 52 të Kushtetutës së Kosovës, në mënyrë që e drejta për ajër dhe ujë të pastër të përfshihet si e drejtë e garantuar e njeriut me Kushtetutë.