Lajmet e fundit
Mbledhja konstituive e Kuvendit
E Enjte, 03.08.2017
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen konstituive të Legjislaturës së VI, e dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit.
Kjo, mbledhje, e cila ka nisur pa pjesëmarrjen e koalicionit PAN, si fituese e zgjedhjeve, ka vijuar në përbërje të kuorumit prej 73 deputetëve, ndërkaq, nga afër përcillej nga përfaqësues të ambasadave të shteteve të ndryshme, të akredituar në vendin tonë.
Bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit, mbledhja ka filluar nën kryesimin e deputetit më të vjetër të kësaj legjislature, Adem Mikullovci, ndërsa, në mungesë të deputetes më të re të kësaj legjislature, Teuta Rugova, (e cila më vonë i është bashkëngjitur seancës), ai është ndihmuar nga deputeti tjetër më i ri, Qëndrim Kastrati.
Kryesuesi i mbledhjes, Mikullovci, fillimisht ka uruar deputetët për mundësinë e përfaqësimit të qytetarëve gjatë këtij mandati, dhe më pas ka proceduar me rendin e ditës, të përcaktuar nga Kryesia e legjislaturës së kaluar.
Në vijim janë paraqitur propozimet për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
Partitë e përfaqësuara në Kuvend, përpos koalicionit PAN, propozuan nga një anëtar të këtij komisioni. Të propozuarit, gjatë procesit të votimit morën të gjitha votat e deputetëve të pranishëm gjatë kësaj seance.
Në ndërkohë, punimeve të kësaj seance iu përgjigjën edhe deputetët e koalicionit PAN, të cilët propozuan përfaqësuesin e tyre në Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Dhe me këtë rast, komisioni, për shkak të pjesëmarrjes së vonuar të koalicionit PAN, si dhe Listës Serbe, për herë të tretë i është nënshtruar procesit të votimit.
Pas një pauze, komisioni, paraqiti raportin e verifikimit të mandateve të deputetëve.
Raporti i paraqitur nga ky komision, përkatësisht deputeti, Armend Zemaj, ishte i bazuar në Raportin e KQZ-së, sipas të cilit rezultonte se janë certifikuar 120 deputetë dhe grupi më i madh parlamentar, i dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, është koalicioni PAN me 39 deputetë, i pasuar nga VV me 32, LDK dhe Aleanca Kosova e Re 29, Gragjanska Iniciativa Serpska Lista 9 deputetë, Kosova Demokratik Tyrk Partisi 2, Koalicija Vakat 2, Nova Demokratska Stranka 1, Samostalna Liberalna Stranka 1, Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës 1, Partia Liberale Egjyptiane 1, Jedinstvena Goranska Partia 1, Partia e Ashkalinjëve për Integrim 1 dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 1 deputet.
Raporti i paraqitur nga deputeti Zemaj, në mënyrë unanime u përkrah nga deputetët, dhe siç ishte paraparë, pas kësaj, ata kanë dhënë betimin.
Është proceduar më pas me pikën vijuese: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.
Në këtë pikë të rendit të ditës, përfaqësuesi i PAN-it, deputeti Enver Hoxhaj, kërkoi dy orë pauzë, derisa përfaqësuesit e opozitës vlerësuan se kjo është e panevojshme.
Më pas, propozimi u hodh në votim dhe rezultoi me 60 vota për dhe po aq kundër.
Me këtë rast kryesuesi vlerësoi se propozimi nuk kalon dhe se duhet vijuar me seancën, duke kërkuar nga PAN që të bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit.
Përfaqësuesi i PAN-it edhe njëherë insistoi për një pauzë, dhe në këtë situatë, kryesuesi i mbledhjes, vendosi që mbledhja të ndërpritet.