Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Marte, 25.07.2017
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në mbledhjen e mbajtur sot, së bashku me përfaqësuesit e partive parlamentare, ka diskutuar lidhur me përgatitjet për seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të Legjislaturës VI, të përcaktuar për datën 3 gusht 2017, në orën 10:00.
Kryesia, njëzëri u përcaktua për ndarjen e ulëseve në sallën e mbledhjeve plenare. Kështu, grupi i më i madh parlamentar, PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën), me 39 deputetë, do të ulet në qendër. Në krahun e djathtë të kryesuesit të seancës, do të ulet grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në anën e majtë të tij, do të ulen deputetët e grupit parlamentar LAA (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, Alternativa).
Seanca konstituive e Kuvendit, deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, do të kryesohet nga deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës.
Sipas rendit të ditës të përcaktuar nga Kryesia, në seancën konstituive të 3 gushtit fillimisht do të formohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, më pas do të bëhet betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar. Më pas, procedohet me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve, tre prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy të tjerët nga komunitetet tjera, një nga deputetët që mbajnë vende të garantuara për komunitetin serb dhe një nga deputetët që mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera, që nuk janë shumicë.
Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit zgjedhen me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, minimumi 61 vota "Për".
Kryesia po ashtu vendosi që regjistrimi i deputetëve të bëhet më 26, 27 dhe 28 korrik 2017.