Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Premte, 25.01.2019




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të kryesuar nga Ismail Kurteshi, kryetar, në të cilën kanë marrë pjesë edhe anëtarët e Këshillit Shtetëror për Cilësi(KShC).

Kryetari i këtij komisioni, Ismail Kurteshi, ka kërkuar nga anëtarët e KShC-së të sqarojnë dhe arsyetojnë mos akreditimin e 42 programeve të universiteteve publike.

Lidhur me këtë çështje, ai tha komisioni nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e KShC-së, pasi që është organ i pavarur dhe i respektueshëm.

Krahas kësaj, Kurteshi, kërkoi të dijë nëse, vendimet e ndërmarra janë në pajtueshmëri me ligjet dhe kriteret me të cilat vepron KShC-ja.

Po ashtu, Kurteshi, bëri thirrje që KShC-ja dhe rektorët të vazhdojnë
komunikimin, pasi që greva nuk është zgjedhje.

Anëtarët e komisionit nëpërmjet pyetjeve ngritën shqetësimet e tyre lidhur me mos akreditimin e programeve arsimore në universitetet publike.

Deputetët u interesuan të dinë nëse ka pasur presion nga ministri i Arsimit për mos akreditim të këtyre programeve.

Kryetari i KShC-së, Gazmend Luboteni, tha se këtë vit janë analizuar një numër i madh i programeve për të parë nëse i plotësojnë kushtet dhe kriteret për akreditim sipas legjislacionit në fuqi.

Anëtarët e KShC-së, deklaruan se në mbledhjen e fundit kanë shqyrtuar disa programe të reja, ku prej 104 sa kanë hyrë në vlerësim, 53 kanë qenë nga institucionet publike, ndërkaq 51 nga kolegjet private.

Anëtarët e KShC-së, njoftuan se janë refuzuar 107 programe për shkak të mos përmbushjes së kritereve që kërkohen sipas udhëzimit administrativ.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...