Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Hënë, 08.10.2018




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në mbledhjen e mbajtur sot, të udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, kryetar, shqyrtoi dhe i procedoi në Kuvend një varg projektligjesh.

Në fillim të takimit, Organizata "Integra", para komisionit prezantoi disa hulumtime të realizuara në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Përfaqësuesi i kësaj organizate, Kushtrim Kuliqi, bëri të ditur se të gjeturat në këtë institucion janë brengosëse, meqë sipas tij, AShAK është në gjumë dhe gërryen paranë publike. Ndërkaq autori i këtij hulumtimi, Shkëlzen Gashi, tha se shumica e librave të botuara nga Akademia janë vetëm ribotime. Tutje ai shtoi se pagat e larta prej 1300 deri ne 1500 euro nuk janë aspak të arsyeshme, duke marrë parasysh punën që bëhet. Përkitazi me këtë çështje, kryetari Kurteshi i propozoi komisionit që në një nga mbledhjet e radhës të vijnë në raportim përfaqësuesit e AShAK-së.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, të cilin e prezantoi iniciuesi i këtij projektligji, deputeti Fadil Beka.

Kryetari, Kurteshi u shpreh i kënaqur me ardhjen e këtij projektligji në komision, pasi që, siç tha ai, një kategori e veçantë e Kosovës do ta ketë ligjin, duke uruar që ky ligj të hartohet sa më mirë dhe të jetë sa më i kompletuar.

Në këtë mbledhje u shqyrtuan dhe u proceduan në Kuvend edhe shtatë projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2003/24 për Sport, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04./L-075 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për Sport, Projektligji për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Trashëgimi Kulturore, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, Projektligji për plotësim ndryshimin e Ligjit për Kinematografinë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, si dhe Projektligji për ndryshim plotësimin e Ligjit për Bibliotekat.

Po ashtu u miratua edhe lista e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, e cila do t'i përcillet Kuvendit për miratim.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...