Lajmet e fundit

Nga punimet e mbledhjes së pestë të KPSA-së BE-Kosovë

E Hënë, 17.09.2018




Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka filluar mbledhja e pestë e Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë.

Takimi u drejtua nga dy bashkëkryetarët e komisionit, Memli Krasniqi nga Kuvendi i Kosovës dhe Tonino Picula, deputet i Parlamentit Evropian.

Ligjvënësit vendorë dhe atë të PE-së, me një fjalë rasti i përshëndeti kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Në adresimin e tij, Veseli tha se MSA-ja ishte hapi parë i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës në integrimin e saj evropian. Sipas tij, Kosova është tërësisht e përkushtuar në vizionin e saj nacional për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

"Kuvendi i Kosovës, bashkë me qeverinë dhe institucionet tjera janë duke kryer me përkushtim detyrat e tyre. Gjithsesi duhet të ruajmë vështrimin kritik të procesit. Shtrohet nevojë për një dinamikë më të madhe në zbatimin e obligimeve që parasheh MSA-ja", thekso Veseli.

Shefja e Zyrës së BE-së / Përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kërkoi nga partitë politike që të punojnë për të arritur konsensus për çështjet kryesore nëpër të cilat po kalon vendi. Ajo tha se duhet parë interesi i përbashkët i qytetarëve dhe partive dhe se duhet të ecet përpara me reformat drejt BE-së.

Në vazhdim, ajo shprehu shqetësimin për mosmiratimin e Projektligjit për fondet e IPA-s, duke kërkuar miratimin e shpejtë të tij. Apostolova tha se Qeveria dhe Kuvendi duhet të jenë të përqendruar te zbatimi i MSA-së, si rruga e duhur për Kosovën.

Duke marrë fjalën në këtë takim, kryeministri Ramush Haradinaj tha se
deri në fund të muajit tetor do të realizohen prioritetet e para të MSA-së dhe më pas do të vazhdohet me prioritete të tjera.

Lidhur me çështjen e kufijve, Haradinaj tha se nuk duhet të flitet për këtë temë, duke iu kthyer kështu të kaluarës, mirëpo, sipas tij, me Serbinë nevojitet marrëveshje që sjell paqe.
"Ne e dimë që detyrë e jona është ta forcojmë sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit. Nuk duam të jemi vetëm një vend që konsumojmë siguri. Falënderimi u takon NATO-s dhe EULEX-it për gjithë mbështetjen që na kanë dhënë për transformimin e FSK-së. Duam të bëhemi pjesë e NATO-s", theksoi Haradinaj.

Bashkëkryesuesi i komisionit, Memli Krasniqi, u fokusua më tepër te përfundimi i dialogut me Serbinë dhe arritja e marrëveshjes. Ai tha se më shumë se nga ndarja, Kosova rrezikohet nga krijimi i mundshëm i një asociacioni të komunave serbe me kompetenca. Sipas Krasniqit, një gjë e tillë do të ishte bosnjëzim i Kosovës.

Krasniqi tha se PDK-ja është kundër çdo marrëveshjeje me Serbinë e cila do të mund të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

"Çështja e dialogut është më aktualja. Kjo është një temë që na takon të gjithë akterëve. Besoj se konsensusi politik është më shumë se i dëshirueshëm, është përgjegjësi e të gjithëve. PDK-ja është pro dialogut, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë cenimin e integritetit territorial dhe sovranitetit", theksoi Krasniqi.

Tonino Picula, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian, deklaroi se qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen pa viza dhe shfaqi shpresën se vendet e BE-së do ta miratojnë propozimin për liberalizimin e vizave.

Picula u bëri thirrje partive që të arrijnë konsensus për reformat e vendosura nga BE-ja, duke shtuar se dallimet midis partive politike nuk duhet t'i rrezikojnë proceset në interes të qytetarëve.

"Konsensusi për reformat e BE-së është i nevojshëm për të pasur sukses. Miratimi i legjislacionit duhet të shpejtohet. Përmbushja e reformave kërkon veprim të qeverisë dhe institucioneve. Diferencat politike nuk duhet të minojnë përpjekjet për punët në interes të qytetarëve", theksoi Picula.

Kreu i delegacionit të PE-së tha se është ende shumë herët të komentohet korrigjimi i kufirit ose ndryshimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Mbledhja vazhdoi me diskutimet e anëtarëve të tjerë të komisionit, deputetë të të dyja parlamenteve.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, njëherësh përfaqësues të subjekteve politike, Glauk Konjufca (VV), Vjosa Osmani (LDK), Visar Ymeri (PSD), Bilall Sherifi (Nisma), Albulena Haxhiu (VV), Armend Zemaj (LDK), Blerta Deliu-Kodra (PDK), si dhe anëtarë të tjerë të komisionit, diskutuan gjerësisht lidhur me zbatimin e MSA-së dhe për çështjet kryesore nëpër të cilat po kalon vendi ynë.

Mbledhja vazhdon nesër, në orën 9:00. ​

Nga punimet e mbledhjes së pestë të KPSA-së BE-KosovëNga punimet e mbledhjes së pestë të KPSA-së BE-KosovëNga punimet e mbledhjes së pestë të KPSA-së BE-KosovëNga punimet e mbledhjes së pestë të KPSA-së BE-KosovëNga punimet e mbledhjes së pestë të KPSA-së BE-KosovëNga punimet e mbledhjes së pestë të KPSA-së BE-KosovëNga punimet e mbledhjes së pestë të KPSA-së BE-Kosovë