Lajmet e fundit
Kuvendi mbajti seancë komemorative në nderim të figurës së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi
E Premte, 27.07.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, është mbledhur sot për të nderuar figurën e veprimtarit të shquar, Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë të enjten.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë fjalës së tij, tha se Kosova ka humbur simbolin e gjithë lëvizjes kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e saj.
Veseli tha se Adem Demaçi ishte i kombit dhe do të mbetet i tillë përjetë e mot.
"Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë", tha kryeparlamentari Veseli.
Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vaselika Hysi, shprehu ngushëllimet në emër të parlamentit të Shqipërisë.
"Kosova e lirë humbi një ndër frymëzuesit dhe martirët e saj. Ndarja nga jeta e Adem Demaçit thërret për t'u bërë të gjithë më të fortë", tha nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se vepra e Adem Demaçit nuk do të harrohet kurrë.
"Nuk u ndal kurrë së menduari për atë se si të ndërtohet një shtet i pavarur, demokratik dhe i barabartë me të tjerët. Ndarja e Adem Demacit nga jeta është humbje e madhe për të gjithë shqiptarët, por edhe për të gjithë njerëzimin. Personaliteti i tij unik është i pazëvendësueshëm dhe vepra e tij nuk do të harrohet kurrë", tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë.
Në fund, mori fjalën djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, i cili falënderoi të pranishmit.
Pas mbledhjes komemorative, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, deputetë dhe drejtues të tjerë të institucioneve, bën homazhe para trupit të Adem Demaçit.