Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 18.07.2018
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Lumir Abdixhiku, kryetar, shqyrtoi disa projektligje dhe raporte.
Sa i përket Projektligjit për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes dhe Teknologjisë, me amendamente të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, komisioni vlerësoi se ka kosto buxhetore shtesë, e cila nuk është paraparë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për vitin 2018. U vlerësua po ashtu se në Ministrinë për Inovacion dhe Ndërmarrësi, është ndarë buxhet për financimin e projekteve në fushën e inovacionit. Anëtarët e komisionit kërkuan që të dy ministritë të koordinohen rreth zbatueshmërisë së ligjit dhe planifikimit të buxhetit për vitet e ardhshme sa i përkët këtij ligji.
Komisioni e procedoi projektligjin për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.
Në vazhdim, komisioni shqyrtoi Projektligjin për Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz dhe amendamenteve të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor.
U vlerësua se kostoja për zbatimin e ligjit është e paraparë në buxhetin e vitit 2018, ndërsa iu rekomandua institucioneve përgjegjëse për zbatimin e tij që të planifikojnë koston buxhetore për vitet e ardhshme. Edhe ky projektligj u procedua tutje në Kuvend.
Komisioni konstatoi se Projektligji për veprimtaritë hidrometeorologjike, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statistikat Zyrtare të Republikës, si dhe Projektligji për Projektligjin për Ndërmarrje Sociale, me amendamente të komisioneve funksionale, nuk përmbajnë kosto shtesë buxhetore.
Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe i rekomandoi Kuvendit miratimin e dy raporteve vjetore: raportit të punës të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2017, si dhe raportit vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2017.