Lajmet e fundit

U mbajt tryeza e diskutimit “Trajtimi i viktimave të dhunës në familje nga institucionet”

E Marte, 17.07.2018




Mitrovica Veriore u bë nikoqire e tryezës së diskutimit të organizuar dje nga Grupi i Grave Deputete (GGD) me temën "Trajtimi i viktimave të dhunës në familje nga institucionet". Qëllimi i kësaj tryeze ishte identifikimi i problemeve dhe ngecjeve në trajtimin e viktimave të dhunës në familje. Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me gratë pjesëmarrëse në Akademinë e Grave për Lidership (AGL), program i implementuar nga NDI dhe i mbështetur nga USAID.

Vetëm në vitin 2017, në Kosovë ka pasur 1,269 raportime të rasteve të dhunës në familje në Policinë e Kosovës. Me gjithë këtë, një ndër shqetësimet e ngritura në këtë tryezë është hezitimi i viktimave të dhunës në familje, veçanërisht i grave të raportojnë dhunën në polici. Njëkohësisht u theksua se përpjekjet kryesore të institucioneve përkatëse duhet të fokusohen në sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe në përshpejtimin e proceseve gjyqësore. Për më tepër, investimi në programet e rehabilitimit të viktimave është i domosdoshëm për të siguruar strehim dhe këshillim për të ndihmuar procesin e riintegrimit.

Kryesuesja e Grupit të Grave Deputete, Mexhide Mjaku - Topalli, theksoi se në planin e punës të GGD-së janë paraparë grupe punuese që do të punojnë për të mbështetur institucionet përkatëse në punën e tyre ndaj luftimit të dhunës në familje. Teuta Haxhiu, anëtare e bordit të GGD-së ftoi pjesëmarrësit të ndajnë të gjitha shqetësimet e tyre, meqenëse kjo është një mundësi që deputetet të dëgjojnë për këto sfida dhe t'i adresojnë në Kuvendin e Kosovës.

"Të gjithë e kanë për obligim që të krijojnë kushte dhe lehtësira për rastet e dhunës në familje, si në politikat e dhënies së granteve për biznese, punësim në institucionet publike, dhënies së banesave për strehim", tha Naim Qelaj, Koordinator Kombëtar Kundër Dhunës në Familje dhe njëherësh zëvendësministër i Drejtësisë.

Përfaqësuesja e Avokatit të Popullit në Mitrovicën Veriore, Miljana Ščekić, tha se duhet të sigurohet një shkallë më të madhe të informimit të qytetarëve për rolin e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, për shkak se shumë gra, në mungesë të informacioneve, nuk kanë kujt t'i drejtohen, duke rekomanduar që qeveria të zhvillojë fushata mediale në këtë drejtim.
Pjesëmarrës në këtë tryezë diskutimi ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të insitucioneve përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje si Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Mitrovicë, përfaqësues të Avokatit të Popullit, asambleiste, përfaqësues të strehimoreve për viktimat e dhunës në familje, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Prishtinë dhe Mitrovicë Veriore dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Grupi i Grave Deputete do të vazhdoj aktivitetet në terren ku do të vizitojë strehimoret në nivel vendi për të parë kushtet në të cilat veprojnë, si dhe për të kuptuar prej së afërmi trajtimin dhe përpjekjet për riintegrim të tyre.

U mbajt tryeza e diskutimit “Trajtimi i viktimave të dhunës në familje nga institucionet”