Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takoi përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës
E Hënë, 09.07.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), nga të cilët pranoi raportin e auditimit për OEK-un, për vitin 2017.
Bazuar në të dhënat e raportit, kryeparlamentari Veseli e vlerësoi Odën Ekonomike shembull të punës transparente dhe të shpenzimit të parasë, e vlerësuar tashmë edhe nga auditorë evropianë.
Veseli tha se Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Odën Ekonomike i lidhë vlerësimi i auditorëve për të dyja institucionet, duke i konsideruar kampionë të transparencës dhe të menaxhimit të buxhetit.
"Kuvendi i Republikës së Kosovës po ashtu është kampion në auditime gjatë gjithë këtyre viteve, në vazhdimësi. Unë si kryetar i Kuvendit vetëm sa e kam thelluar transparencën dhe llogaridhënien para qytetarëve", theksoi Veseli.
Kreu i Kuvendit bëri thirrje për syçeltësi në shpenzimin e parasë publike, ndërsa punën e Odës Ekonomike e konsideroi shembull të punës për agjenci që i raportojnë Kuvendit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se qëllimi pse i po dorëzohet Kuvendit ky raport, është edhe fakti se në tre vitet e fundit, Kuvendi, bazuar në të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm, ka qenë njëra ndër institucionet më transparente.
Gërxhaliu tha se raporti i auditimit për OEK-ut për vitin 2017, i realizuar nga një kompani prestigjioze evropiane, është pa asnjë të gjetur negative.