Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 05.07.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti sot seancën e radhës, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar.
Seanca filloi me deklarimet jashtë rendit të ditës, ndërsa në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Kujtim Gashi (Ministër i Kulturës), Pal Lekaj (ministër i Infrastrukturës), Bejtush Gashi (ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës) dhe Albena Reshitaj (ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor).
Kuvendi vazhdoi punimet me interpelancën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP-të Lëvizjes Vetëvendosje dhe GP të LDK-së, në lidhje me vendimin e Qeverisë Nr.01/50 të datës 05.06.2018 për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në Kontratën për ndërtimin e Autostradës R6, "Arbën Xhaferi" Prishtinë-Hani i Elezit.
Propozuesi i interpelancës, nga GP i LVV, Liburn Aliu, arsyetoi propozimin e saj, duke kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Haradinaj, për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel &Enka.
Ndërkaq, propozuesi i interpelancës nga GP i LDK-së, Lutfi Zharku, theksoi se ndarja e këtyre mjeteve shtesë për Bechtel & Enka nuk ka bazë ligjore. Ai tha se qeveria dhe konsorciumi Bechtel & Enka kanë qenë në dijeni se do të kenë probleme.
Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj tha se konzorciumi Bechtel & Enka është një partner serioz, duke shprehur edhe falënderim për këtë kompani.
Seanca vazhdoi me diskutimet e përfaqësuesve të grupeve parlamentare: Kujtim Shala (LDK), Memli Krasniqi (PDK), Liburn Aliu (VV), Dardan Sejdiu (PSD), Shkumbin Demalijaj (AAK) dhe Bilall Sherifi (Nisma).
Në interpelancë diskutuan edhe deputetë të tjerë, të cilët, varësisht prej grupeve parlamentare që përfaqësojnë, shpalosën qëndrime në mbështetje të vendimit të qeverisë apo kundër tij.
Grupet parlamentare, u dakorduan që të harmonizojnë qëndrimet lidhur me tekstin e rezolutës së paraqitur nga iniciuesit.