Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 04.07.2018
Komisioni për Buxhet dhe Financa, i udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, kryetar, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka shqyrtuar gjashtë projektligje.
Komisioni përkrahu këto projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale: Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Hekurudhat e Kosovës, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Patentë Shofer, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Transportin Rrugor, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Transportin Tokësor të Mallrave të Rrezikshme, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Rrugë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-120, si dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Anëtarët e komisionit, po ashtu, i dhanë mbështetje edhe Projekt-Rregullores së Kuvendit të Kosovës, me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional.
Ndërsa, shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Zyrës Kombëtare Qendrore të Zgjedhjeve për vitin 2017, u shty për mbledhjen e radhës.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e Raportit vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2017. Përfaqësuesit e këtij institucioni para anëtarëve të komisionit paraqiten rezultatet e arritura gjatë vitit të kaluar. Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, shtruan pyetje në adresë të tyre dhe pas diskutimeve, përkrahën raportin.
Në vazhdim, Komisioni shqyrtoi Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2018, të cilin e paraqiti sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Sekretari Krasniqi tha se në bazë të dhënave gjenerale, të prezantuara edhe në raport, shpenzimet buxhetore për tremujorin e parë të vitit 2018 janë 19 për qind.
Po ashtu u bë e ditur se për shkak të periudhës më të gjatë të punës nga ana e administratës (midis dy sesioneve), shpenzimet në mëditje për këtë tremujor janë më të larta krahasuar me pjesën politike të Kuvendit.
Pas diskutimeve, komisioni përkrahu raportin.
Për shqyrtimin e kërkesës së Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për caktimin e shumës së pagesës për një anëtar të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe dy anëtar të Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona, u vendos që të formohet një grup punues.