Lajmet e fundit
Veseli takon eurodeputetët holandez, u kërkon përkrahjen për liberalizimin e vizave
E Marte, 03.07.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës në Holandë, ka zhvilluar takime të ndara me deputetë të Parlamentit holandez dhe deputetë të Parlamentit Evropian nga Holanda.
Në takim me deputetin holandez, Sybe Schaap, kryeparlamentari Veseli ka diskutuar për bashkëpunimin ndërparlamentar mes Kosovës dhe Holandës.
Deputeti Schaap tha se Holanda mbështet integrimet evropiane të Kosovës, ndërsa tha se janë të gatshëm të japin edhe mbështetje nga përvoja holandeze në këtë proces.
Edhe në takim me eurodeputetët holandezë, Anne Mulder dhe Martijn J.F. van Helvert, Kryeparlamentari Veseli theksoi nevojën që ka Kosova për mbështetje sa më të madhe nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian për proceset aktuale dhe ato që e presin në të ardhmen, si në procesin e liberalizimit të vizave dhe të integrimit evropian në përgjithësi, ashtu edhe në konsolidimin e mëtejmë të shtetësisë së saj në rrafshin ndërkombëtar.
"Unë sot pata disa takime me shumë rëndësi, të nivelit të lartë të Mbretërisë së Holandës, në parlament, me kolegë të cilët janë skeptikë, si në aspektin e zgjerimit, ashtu edhe të liberalizimit të vizave. Besoj që kemi pasur takime shumë të mira. Na pret një punë shumë intensive drejt lëvizjes së lirë, por ne nuk do të ndalemi në këtë përpjekje, pavarësisht sfidave, deri në arritjen e synimit tonë. Sfidat kanë të bëjnë kryesisht me çështjen e migrimit dhe euroskepticizmit brenda BE-së, faktorë këta të cilët nuk na vejnë në pozitën më të volitshme, por do të punojmë deri në fund. Mesazhi përkrahës për Kosovën dhe rrugëtimin euroatlantik është shumë i qartë. Ne në asnjë mënyrë nuk duhet të jemi skeptikë në rrugëtimin tonë drejt BE-së. Jemi perëndimorë, jemi evropianë. Njëkohësisht Evropa është duke kaluar sfidat e saj, të cilat nuk janë të lehta. Por jemi të vendosur të ndodhë liberalizimi dhe të vazhdojmë rrugën drejt anëtarësimit në familjen e madhe evropiane", tha kryeparlamentari Veseli.
Europarlamentarët holandezë, nga ana e tyre, shprehën interesimin për një varg zhvillimesh në Kosovë, ndërsa konfirmuan qëndrimet e tyre pro liberalizimit të vizave kur çështja të kaloj në Parlamentin Evropian.
"Ne jemi duke pritur vendimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovës. Nëse konfirmohet nga Komisioni Evropian që Kosova i ka përmbushur kriteret e parapara, atëherë Holanda do të ketë çasje të drejtë karshi këtij procesi", tha eurodeputeti holandez Anne Mulder.