Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Marte, 03.07.2018




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, mbajti sot mbledhjen e radhës, kryesuar nga Albulena Haxhiu, kryetare, në të cilën shqyrtoi Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Anëtarët e Komisionit, diskutuan për përmbajtjen e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, lidhur me privatizimin, mandatin e Eulex-it, çështjet e Gjykatës së Apelit, sistemit të drejtësisë, si dhe lëndët e pazgjidhura nga gjykatat.

Komisioni përkrahu në parim Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për familjen, i cili hyri në rend dite dhe u përkrah në parim.

Kërkesa për inicimin e procedurave për ndryshim-plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, iu procedua Komisionit për Bujqësi, ndërsa kërkesa e Sindikatës së pavarur të ish-Këshillit Komunal për Financim Gjakovë, vitet 1992-1999, iu dërgua Komisionit për Shëndetësi.