Lajmet e fundit
Komisioni për Integrime Evropiane
E Marte, 03.07.2018
Përmbajtjen dhe rëndësinë e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kuadër të Projektit të Bashkëpunimit Zhvillimor për Asistencë Teknike në Kontekst të Integrimit Evropian, para anëtarëve të komisionit i paraqiti ministrja Hoxha.
"Procesi i integrimit është kompleks dhe kërkon reforma në shumë sektorë, prandaj kapacitetet institucionale janë ndër faktorët kyç. Ministria e Integrimit, në bashkëpunim me institucionet tona dhe partnerët, përfshirë zyrën e BE-së, ka identifikuar një numër të fushave prioritare të MSA-së. Qëllimi është zbatimi efikas i MSA-së, në veçanti dhe agjendës së integrimit në përgjithësi, në mënyrë që të jemi të gatshëm për fazat e ardhshme të integrimit. Dhe gjithashtu synohet edhe forcimi i komunikimit duke mbështetur zbatimin e strategjisë tonë për komunikim dhe informim të procesit të integrimit", theksoi Hoxha.
Ajo gjithashtu tha se kjo marrëveshje është nënshkruar me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve për zbatimin e MSA-së, në disa fusha prioritare dhe mbështetje për komunikim efektiv të këtij procesi.
Asistenca ofrohet për trajnim, trajnim të trajnerëve, nevoja ad-hoc për ekspertizë dhe politika të caktuara, si dhe hulumtim gjithëpërfshirës të politikave të BE-së, për të ndihmuar në formulimin e politikave nacionale dhe zbatimin e legjislacionit.
Anëtarët e komisionit, pas elaborimit të kësaj marrëveshjeje nga ministrja Hoxha, diskutuan në lidhje me qëllimin kryesor të kësaj marrëveshjeje dhe drejtuan pyetje në adresë të ministres.
Anëtarët e komisionit shtruan pyetje edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa ministrja Hoxha tha se pritet hapi i parë, letër-rekomandimi, për të cilin ajo shprehu optimizmin se do të jetë pozitiv. Hoxha tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e vendosura.
Pas diskutimeve në mes të anëtarëve të komisionit dhe ministres Hoxha, kryetarja Blera Deliu- Kodra, propozoi që derisa të merr ministria një rikonfirmim të qartë, të mos e votojnë njëherë edhe pse në parim e mbështesin si të tillë.
Mbledhja vijoi me Shqyrtimin e Projekt-Rregullores së Kuvendit, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Kryetarja e këtij komisioni, Blerta Deliu- Kodra, theksoi që janë propozuar tetë amendamente në kapitullin e 16, në të cilin flitet për procesin e integrimit.
Anëtarët e Komisionit i dhanë mbështetje Projekt-Rregullores, me amendamentet e propozuara nga ana e komisionit funksional.