Lajmet e fundit
Nga tryeza e mbajtur sot për pakon ligjore kundër korrupsionit
E Marte, 11.12.2018
Sot në Kuvendin e Kosovës u mbajt tryeza për pakon ligjore kundër korrupsionit, organizuar nga deputetë/anëtarë të GOPAC për Kosovë.
Takimin e udhëhoqi deputeti Armend Zemaj, kryesues i GOPAC-ut për Kosovë, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, për të diskutuar për një teme kaq të rëndësishme dhe preokupuese për të gjithë.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion, anëtare e GOPAC-ut, Ulrika Richardson nga UNDP, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Besim Kelmendi, përfaqësues nga Zyra e Kryeprokurorit, Aferdita Bytyqi, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Fillimisht fjalën e mori Ulrika Richardson nga UNDP e cila tha se korrupsioni pengon investimet, ndërsa shtoi se Kosova duhet të ketë legjislacion të qartë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
"Gjatë kësaj jave që i kushtohet luftës kundër korrupsionit, po shënohen aktivitete dhe kjo na jep mundësi të reflektojmë se sa e rëndësishme është lufta kundër korrupsion. Korrupsioni është humbje e fondeve publike, që u shkojnë individëve", tha Richardson.
Ajo poashtu shprehu mirënjohjen për iniciativat e tilla në vendin tonë dhe tha se pret që në të ardhmen të ketë më shumë takime të kësaj natyre.
Ndërsa, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri falënderoi deputetët në punën e tyre në miratimi e 13 projektligjeve të rëndësishme që lidhen me sistemin e drejtësisë. Tahiri shtoi se Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit do t'i kursejë Kosovës miliona euro.
"Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit do t'i kursejë shtetit miliona euro. Rritja e numrit të prokurorëve në prokurori speciale ka ndodhur. Bashkë me Komisionin për Legjislacion është propozuar amendamenti për themelimin e panelit special, i cili do të gjykojë lëndë që vijnë nga prokuroria speciale dhe ky është një lajm i mirë", tha Tahiri.
Albulena Haxhiu, në cilësinë e kryetares së Komisionit për Legjislacion, përgëzoi organizimet e ndryshme të bëra nga shoqëria civile lidhur me këtë temë dhe shtoi se korrupsioni në vendin tonë është pengesa kryesore që bllokon zhvillimin ekonomik të vendit.
Ajo poashtu u shpreh se nëse nuk ndërmerren masa për ndalimin e tij, atëherë kjo dukuri, sipas saj, do të normalizohet. Ajo tha se për ndalimin e korrupsionit nevojitet edhe vullnet politik.
"Krimi i organizuar dhe korrupsioni kohëve të fundit po diskutohen më shumë. Nuk po flasim vetëm për diçka që është e kundërligjshme por që është pengesa kryesore dhe shkak i moszhvillimit ekonomik", tha ajo.
Nga Zyra e Kryeprokurorit, Bekim Kelmendi po ashtu shprehu mirënjohje për shoqërinë civile dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm më institucionin që ai përfaqëson.
Në anën tjetër ai u shpreh se Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit më shumë është gjeneral se sa specifik, ndërsa ligji për sinjalizuesit, sipas tij, është një ligj shumë i mirë dhe të gjithë personat që japin informata për ndonjë parregullsi, e kanë mundësinë të jenë të mbrojtur.
Edhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi, paraqiti punën që është bërë nga ky institucion sa i përket temës së korrupsionit dhe tha se Gjykata Themelore e Prishtinës është e përkushtuar që të gjitha rastet dhe lëndët e reja t'i kryej në një afat sa më të shkurtë kohor.
Për fund, drejtuesi i këtij takimi, deputeti Armend Zemaj, ftoi secilin institucion kompetent të ndërmarrë masa për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, njëkohësisht, duke shtruar nevojën për organizimin sa më të shpeshtë të takimeve të tilla.