Lajmet e fundit
Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit
E Mërkure, 05.12.2018
Në orët e mbrëmjes të së martës, Kuvendi i Republikës së Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila tumiri kërkesën për seancë të tillë, të nënshkruar nga 40 deputetë, "për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për debat parlamentar lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave".
Në emër të iniciuesit, deputeti Avdullah Hoti adresoi kritika kundruall qeverisë, duke vlerësuar se ajo ka zhgënjyer Brukselin dhe qytetarët tanë, prandaj fajin për viza, sipas tij, e ka viti i mbrapshtë i kësaj qeverisjeje.
Hoti ftoi deputetët që të miratojnë një rezolutë, të përmbledhur në tri pika, në të cilën kërkohet që forcat politike parlamentare të ulen e të dakordojnë agjendën për institucione të reja, që pas këtij dakordimi Qeveria të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbëhet, ndërsa forcat politike të pajtohen që mos të pengohen këto procese.
Po në këtë frymë, në emër të LDK-së foli edhe deputeti Armend Zemaj.
Kryetari i GP të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, vlerësoi se politikanët që kanë premtuar liberalizim të vizave për çdo vit, duhet të dalin para qytetarëve dhe të japin përgjegjësi. Por gjithashtu, ai adresoi kritika edhe në drejtim të Bashkimit Evropian. Ai e konsideroi parakoskale situatën kur BE thotë se Kosova ka plotësuar kriteret, ndërsa liberalizimi nuk bëhet.
Blerta Deliu-Kodra nga GP i PDK-së, tha se e kupton zhgënjimin e qytetarëve pas deklaratave të Komisionerit Johannes Hahn. Ajo tha se Kosova ka përmbushur 95 kritere dhe konfirmoi se do të vazhdohet të kërkohet se cilat shtete kanë hezitime. Sipas saj, liberalizimi do të ndikonte qartë në stabilitetin e vendit duke sjell Kosovën më afër BE-së.
Kryetari i GP të PSD-së, Dardan Sejdiu, tha se liberalizimi i vizave është premtim elektoral tash e 10 vjet, i të gjitha qeverive pa përjashtim. Ai pohoi se asnjë qeveri nuk ka qenë as e drejtë dhe as korrekte në trajtimin e çështjes së liberalizimit të vizave, duke shtuar se Kosova nuk është një çështje e ndërlikuar dhe e pa përballuar për vendet e BE-së.
Nga AAK, kryetari Ahmet Isufi tha se kritikat për liberalizimin e vizave nuk duhet adresuar Qeverisë, pasi që kjo çështje, sipas tij, është në dorën e BE-së. Duke cituar fjalët e Komisionerit Hahn, Isufi tha se Kosova i ka përmbushur kriteret, pra e ka kryer punën e saj. Por, siç tha ai, në BE ekzistojnë procedura që duhet të vazhdojnë në mënyrë që të ndodh liberalizimi i vizave.
Kryetari i GP të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, tha se të gjithë ndërkombëtarët u kanë thënë se vonesa për votimin e demarkacionit ka shtyrë liberalizimin e vizave. Ai akuzoi LDK-në se për ta më me rëndësi ishte mbajtja e pushtetit se sa vizat.
Në vazhdim, lidhur me temën në rend dite, kontribuuan edhe deputetë të tjerë të Kuvendit, të cilët, varësisht nga përkatësia e tyre politike, orientuan diskutimet e tyre në mbështetje, përkatësisht adresim të kritikave ndaj qeverisë.
Pas shterjes së diskutimeve, në mungesë të kuorumit, iniciuesit e kësaj seance, Avdullah Hoti dhe Glauk Konjufca, kërkuan që votimi i rezolutës së propozuar të shtyhet, ndërsa grupet parlamentare pritet të takohen të enjte paradite, për të parë mundësitë e harmonizimit të saj.