Lajmet e fundit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 06.11.2018




Sot në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Sala Berisha-Shala, kryetare e Komisionit, ka raportuar ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka.

Raporti i ministrit Lluka kishte të bënte me procesin e ndërtimit të termocentralit "Kosova e Re", ndërkaq, është shtyrë për një mbledhje tjetër, raporti lidhur me funksionalizimin e ndërmarrjes "Trepça" SH. A.
Lidhur me ecurinë e ndërtimit të termocentralit "Kosova e Re", ministri Lluka, në mënyrë kronologjike foli për zhvillimin e procedurave rreth projektit, duke vënë në spikamë vështirësitë dhe të arriturat në këtë proces.

Me këtë rast, ministri u shpreh i sigurt se ky projekt, përkundër vështirësive do të realizohet.
Ne jemi të bindur, u shpreh ministri Lluka, se, në pjesën e parë të vitit 2019, do të fillojë ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re'". Më pas, ai sqaroi se në dhjetor të vitit të kaluar është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e termocentralit, ndërkaq, sqaroi ai në vijim, më 16 gusht ka përfunduar afati për aplikimin e ndërmarrjeve për ndërtimin e termocentralit.

Më pas, ai foli edhe rreth kostos së investimeve, dhe me këtë rast ai i siguroi anëtarët e komisionit që përkundër faktit se Banka Botërore (BB) nuk e përkrah këtë projekt, termocentrali i ri do të ndërtohet.

Lidhur me këtë, ai vuri në pah angazhimet e "Contur Global", i cili, pas ndërprerjes se përkrahjes nga Banka Botërore, ka filluar negociata me OPIK.

Gjatë raportimit të tij, ministri ka sqaruar edhe për garancionin shtetëror lidhur me këtë projekt, si dhe shumë çështje të tjera për të cilat anëtarët e komisionit paraqitën interesimin e tyre.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik...