Lajmet e fundit
Komisioni për Integrime Evropiane takoi një delegacion nga Bundestagu gjerman
E Enjte, 01.11.2018
Sot, Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës është takuar me Komisionin për Çështje Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit të Bundestagu gjerman, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Me këtë rast, anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane kanë falënderuar deputetët e Bundestagut për mbështetjen e dhënë nga shteti gjerman ndaj Kosovës, si dhe kanë shprehur përkushtimin e tyre në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Në këtë takim është diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe reformat në drejtësi.
Po ashtu, u diskutua edhe rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.