Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Premte, 12.10.2018




Nën kryesimin e kryetarit Ismajl Kurteshi, u mbajt sot takimi i radhës i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i MASHT-së, Shyqiri Bytyqi, i cili paraqiti raportin lidhur me përfundimin e vitit shkollor 2017-2018 dhe fillimin e vitit të ri shkollor 2018-2019.

Ministri Bytyqi theksoi se viti shkollor 2017-2018 u përmbyll si vit shkollor i rregullt, ndërsa testi i maturës ka përfunduar në bazë të kalendrit, pavarësisht se këtë vit është futur në praktikë një formë e re e testimit, e cila, sipas tij, ka treguar rezultate më reale.

Po ashtu ministri theksoi se është hartuar kalendari për vitin e ri shkollor.

Lidhur me shpërndarjen e teksteve shkollore, ai tha se ky proces ka pasur rrjedhojë normale dhe ka përfunduar me kohë.

Gjatë raportimit, ministri theksoi edhe përpjekjet që po bën ministria që të avancojë gjendjen e arsimit vendor. Ai tha se janë paraparë të hapen 100 pozita për asistentë në shkolla për fëmijë me nevoja të veçanta.

Ministri foli edhe për matjen e performancës së mësimdhënësve, proces ky i cili, sipas ministrit, ka filluar me 29 shtator dhe po tregon mjaft i suksesshëm.

Problematikat e shkollave profesionale u hapen si temë gjatë diskutimit me deputetë, të cilët shprehën interesimin se çfarë po bën ministria që këto shkolla të bëhen më atraktive dhe më funksionale për nxënësit.

Ministri i Arsimit tha se për shkollat profesionale po bëhen përpjekje që të krijohen hapësira për avancimin e këtyre institucioneve, nëpërmjet bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë.

Anëtarët e komisionit, shtruan edhe pyetje të tjera që lidheshin me problematika të ndryshme në sektorin e arsimit.

Ministri, gjithashtu, theksoi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me komisionin, në funksion të zgjidhjes së të gjitha problemeve me të cilat përballet sot arsimi në Kosovë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...