Lajmet e fundit

Veseli: Kosova duhet të ketë qëndrim unik rreth platformës së vet në dialog

E Enjte, 11.10.2018




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të subjekteve politike, lidhur me rezolutën e propozuar për dialogun me Serbinë.

Takimin, në të cilin morën pjesë përfaqësues të partive politike në koalicion, si dhe të dy partive opozitare, Partisë Social-Demokrate dhe Alternativës, kryeparlamentari Veseli e konsideroi shumë konstruktiv.

Duke bërë thirrje për konsensus të përgjithshëm, kreu i Kuvendit tha se Kosova duhet të ketë me një zë dhe një qëndrim rreth platformës së vet.

"U takuam me disa nga kolegët e opozitës në përpjekjen për të ndërtuar një konsensus për integritetin territorial të Kosovës. Ishte takim shumë konstruktiv. Sot kemi qenë bashkë për të forcuar pozicionin e Kosovës në dialog", tha Veseli.

Kreu i Kuvendit shtoi se ishte pajtim i të gjithëve se duhet të ketë qëndrim për shtet sovran dhe jo asociacion me kompetenca ekzekutive. Kreu i Kuvendit shtoi se rezoluta e propozuar është e hapur prandaj mund të futet çdo gjë që është e rëndësishme.

Ai ftoi dy partitë e tjera opozitare, LDK-në dhe VV-në, që të bashkohen për të arritur një konsensus nacional që Kosova të jetë, siç tha ai, më e fortë përballë Serbisë në dialog.

"Rezoluta e propozuar përfshin gjithçka që opozita dhe pozita kanë kërkuar. Kam një mesazh për partitë opozitare: nuk mund të jetë Kosova fushëbetejë për pushtet. Më e rëndësishme është e ardhmja se çdo kolltuk", theksoi Veseli.

Ai tha se dikush mund të mendojë se do të përfitojë nga kjo situatë, por kështu, sipas tij, dëmtohet Kosova. Veseli tha se nga kjo situatë varet edhe liberalizimi i vizave dhe shumë procese të tjera integruese.

"Është momenti të ulemi bashkërisht dhe ta zgjidhim këtë çështje. Nuk shkon me inat, revoltë e frustrim. Nëse ke probleme të brendshme, ato nuk duhet bartur jashtë", theksoi Veseli.

Veseli: Kosova duhet të ketë qëndrim unik rreth platformës së vet në dialog Veseli: Kosova duhet të ketë qëndrim unik rreth platformës së vet në dialog Veseli: Kosova duhet të ketë qëndrim unik rreth platformës së vet në dialog