Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i punimeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës
E Premte, 14.09.2018
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vazhduar sot punimet me pikat e mbetura të rendit të ditës nga dita e djeshme.
Gjatë vazhdimit të sotëm seancës, të udhëhequr nga kryeparlamentari Kadri Veseli (një pjesë të saj e drejtori nënkryetari Xhavit Haliti), Kuvendi miratoi pesë projektligje në lexim të dytë: Projektligjin për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit për Patentë Shoferi, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Rrugë, Projektligjin për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, Projektligjin për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit për Transportin Rrugor, si dhe Projektligjin për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit për Transportin Tokësor të Mallrave të Rrezikshme.
Në vazhdim, u shqyrtua për herë të dytë edhe Projekt-kodi i Drejtësisë për të Mitur, i cili u miratua me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit.
Ndërkaq, në shqyrtim të parë, nga deputetet u miratuan dy projektligje: Projektligji për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.
Pas pauzës, Kuvendi ka vazhduar me shqyrtimin e raporteve si në vijim: Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për ujërat për vitin 2017, Raportit vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2017,
Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2017, Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2017, Raportit vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2017, si dhe Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2017.
Shqyrtimin e Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2017, e prezantoi guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti. Vitin 2017 Mehmeti e cilësoi vit të suksesshëm, me rritje të eksportit të mallrave dhe shërbimeve, rritje të ekonomisë dhe tregtisë, si dhe të investime të huaja, zvogëlimin e normave të interesit bankar etj.
Në vijim të punimeve, Kuvendi shqyrtoi raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2017, si dhe Propozim-vendimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit për Ndihmë Shtetërore.
Më pas, u përkrah propozimi i grupeve parlamentare të AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.
Para ndërprerjes së seancës, kryeparlamentari Veseli u bëri thirrje subjekteve politike nga opozita që të marrin pjesë në seancë për t'i përfunduar votimet e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat, siç tha ai, janë me interes të madhë financiar për vendin.