Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
E Marte, 24.04.2018
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, i drejtuar nga Daut Haradinaj, kryetar, ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën u shqyrtua strategjia shtetërore për ujëra në Kosovë 2017-2036, si dhe raporti për vitin 2017 nga Autoriteti Rregullator për ujëra.
Përfaqësuesi i Këshillit ndërministror për ujëra, Baton Begolli, para komisionit prezantoi dy objektivat kryesore lidhur me ujërat në Kosovë. Gjatë fjalës së tij ai deklaroi se Kosova në tërësi ka mungesë të ujërave në katër pellgjet kryesore : Drin të bardhë, Moravë e Binqës, Ibër Lepenc dhe Ibër. Akumulimet për kokë banori, sipas Begollit, janë vetëm 42 për qind të rajonit. Ndërkaq, të reshurat vjetore për kokë banori, tha Begolli, janë 41 për qind.
Begolli konsideroi se këto dy çështje e argumentojnë nevojën për mbrojtjen e resurseve aktuale dhe zhvillimin e resurseve të reja. Më pas ai theksoi se ka humbje të madhe të ujit. Në anën tjetër ai, vuri në dukje financimin e projektit të CDI-së Zvicerano- Kosovar për sistemet rurale të ujit dhe kanalizimeve, e cila sipas tij, ka bërë regjistrimin e gjendjes faktike në tërë territorin e Kosovës. Begolli, tha se, bazuar në të dhënat e këtij projekti, diku 84. 32 për qind të popullatës kanë mbulueshmëri në rrjetet publike.
Anëtarët e komisionit ngritën një varg çështjesh dhe pyetjesh në adresë të Këshillit ndërministror për ujëra.
Begolli, u përgjigj në pyetjet e ngritura nga anëtarët e komisionit duke dhënë sqarimet përkatëse që janë në fushëveprimatarinë e këtij institucioni.
Pas deklarimeve deputetëve, komisioni e miratoi me shumicë votash strategjinë shtetërore për ujëra në Kosovë për vitin 2017-20136.
Në pjesën e dytë të mbledhjes, në komision raporti drejtori i Autoritetit Rregullativ për Ujëra, Raif Preteni, i cili tha se ARRU edhe gjatë vitit 2017 ka vazhduar të zbatojë praktikat më të mira rregullatore për të siguruar ngritjen e nivelit të shërbimeve të ujit.
Preteni bëri të ditur se ndër angazhimet kryesore të ARRU-së gjatë këtij viti ka qenë përcaktimi i tarifave për periudhën e ardhshme trevjeçare, Procesi Tarifor 2018 - 2020. Lidhur me këtë, ai tha se, tarifat për periudhën 2018 - 2020 janë përcaktuar nga të dhënat e Biznes Planeve Rregullatore, të cilat janë aprovuar nga ARRU. Preteni vlerësoi se ARRU është munduar të mbajë ekuilibër për të siguruar që konsumatorët të marrin shërbime të cilësisë më të mirë të mundshme dhe me një çmim të arsyeshëm.
Pas diskutimeve dhe pyetjeve të deputetëve, raporti për vitin 2017 nga Autoriteti Rregullator për ujëra u përkrah njëziëri nga komisioni.
Në fund komisioni u dakordua që ta rishpallë edhe njëherë konkursin për Drejtor Ekzekutiv të Agjencionit të Komplekseve Memoriale.