Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takoi homologun slloven, Milan Brglez
E Shtune, 14.04.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës në Slloveni, ku po merr pjesë në takimet e SEECP-së, është pritur paraprakisht në një takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit të Sllovenisë, Milan Brglez.
Në këtë takim, të dy homologët diskutuan për bashkëpunimin ndërshtetëror midis Kosovës dhe Sllovenisë në të gjitha fushat, veçanërisht në rrafshin ekonomik, si dhe për forcimin e marrëdhënieve midis dy parlamenteve.
Kryeparlamentari slloven e siguroi kryetarin Veseli për mbështetjen e plotë të Sllovenise në rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe në procesin për liberalizimin e vizave.
Ishte konkludim i përbashkët se perspektiva euro-atlantike është rruga më e mirë e bashkëpunimit, për të fuqizuar demokracinë, stabilitetin, paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin regjional.
Z. Brglez përgëzoi kryetarin Veseli për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, si një hap i madh në ecjen përpara.
Në takim u diskutua edhe kërkesa e kryetarit Veseli që Kosova të kryesojë SEECP-në në periudhën kohore 2019/2020.
Kryeparlamentari Veseli falënderoi shtetin mik të Sllovenisë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën në të gjitha fazat, ndërsa konsideroi se kjo përkrahje vazhdon të mbetet e nevojshme edhe në të ardhmen, në proceset të cilat Kosova i ka para vetes.
Kryetari Veseli çmoi shumë mundësinë që kanë institucionet e Republikës së Kosovës që të përfitojnë nga përvoja legjislative sllovene.
"Bashkëpunimi ndërparlamentar me Slloveninë, ofron mundësi të reja edhe në procesin euro-integrues", theksoi kryetari Veseli.