Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisonit për Mbikëqyrje të Financave Publike
E Mërkure, 28.03.2018
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Driton Selmanaj, kryetar, shqyrtoi raportin e auditimit për raportin financiar vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Fondeve të Mirëbesimit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2016.
Pas një diskutimi dhe paraqitje të gjeturave të auditorit nga raportuesi Driton Selmanaj, arsyetimin e të gjeturave nga përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Mehmeti, komisioni vendosi që këto raporte mos të adresohen për seancë plenare, mirëpo disa rekomandime të adresohen tek Bordi i Drejtorëve të AKP-së, për të përgatitur planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit si dhe Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike.
Rekomandimet ishin si në vijim: AKP-ja duhet të hartojë planin e veprimit për të gjeturat e auditorit, duke caktuar personat përgjegjës dhe afatet kohore për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportin e auditorit të jashtëm, për vitin 2016. Për këtë, brenda një muaji ta njoftojë komisionin.
Bordi i Drejtorëve, ndërkaq, duhet të sigurojë nivelin e zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak dhe viti vijues, duke caktuar personat përgjegjës dhe afatet kohore për fusha të vlerësuara jo mirë nga auditimi i brendshëm dhe auditimi i jashtëm. Po ashtu, Bordi i Drejtorëve duhet të sigurohet se Zyra e Financave e AKP-së është duke prezantuar saktë raportet financiare, si dhe të sigurohet se po rishikohet në mënyrë sistematike dosja e personelit.
Po ashtu rekomandohet që Bordi i Drejtorëve të sigurojë se është e saktë evidenca nga pasuritë dhe se janë të prezantuara drejt pasqyrat financiare të AKP-së, si dhe të sigurojë se në mënyrë të rregullt po menaxhohen asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore, si dhe menaxhimi i të hyrat nga qiratë.
Bordi i Drejtorëve, gjithashtu, duhet të sigurohet se shpërndarja e 20 për qindëshit për punëtorët po bëhet me kohë dhe në mënyrë të rregullt.