Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Legjislacion...
E Mërkure, 28.03.2018
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, mbajti dëgjim publik të kryesuar nga Sami Kurteshi, anëtar, lidhur me Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Në këtë takim të pranishëm ishin: Përfaqësues të KDI-së, Institutit Kosovar për Drejtësi, Betimi për Drejtësi, OSBE-së, Qendrës Kosovare për Siguri, etj.
Deputeti Kurteshi, në hapje të këtij dëgjimi, ftoi të gjithë të pranishmit që të paraqesin sugjerimet, vërejtjet dhe propozimet e tyre përkitazi me përmbajtjen e projektligjit.
Fjalën e mori Ehad Miftaraj, nga Instituti Kosovar për Drejtësi, i cili tha se me ligjin të ri do të përcaktohen disa kategori të zyrtarëve publik dhe të angazhimeve të tyre, se sa kanë të drejtë t'i mbajnë dy e me shumë pozita. Po ashtu, Miftaraj bëri të ditur se kanë analizuar dhe marrë praktika të vendeve të rajonit dhe shteteve të tjera. Tutje, ai pohoi se në shume vende konflikti i interesit nuk është i rregulluar me ligj, por siç tha ai, kjo çështje është e rregulluar përmes rregulloreve dhe parimeve të sjelljes.
Selatin Kllokoqi, përfaqësues i INDP-it, shtroi pyetjen lidhur me nenin 13 paragrafi 2 për të kuptuar se a i lejohet zyrtarit të lartë të jete pjesë e ndonjë bordi, si dhe në nenin 12 paragrafi 1, lidhur me listimin e vetëm shtatë profesione të caktuar në pozitën e zyrtarit të lartë.
Përfaqësuesi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Plator Avdiu, shtroi pyetjen nëse me ligjin e ri të propozuar është paraparë rregullimi i pozitave në institucionet publike.
Betim Musliu, përfaqësues nga Betimi për Drejtësi, ngriti çështjen e ushtrimit të funksioneve nga prokurorë dhe gjyqtarë në cilësinë e ligjëruesve të fakulteteve. Ai tha se me vetë faktin që këta zyrtarë të lartë ligjërojnë në institucione, automatikisht paraqet konflikt të interesit.
Visar Rushiti nga organizata Demokracia Plus, shtroi nevojën e një koordinimi më të mirë në midis grupeve punuese dhe të gjitha ministrive në mënyrë që të definohen mirë gjërat.
Florent Spahija nga KDI, kërkoi që të bëhet specifikimi i dënimeve (gjobave) dhe nëse Agjencisë duhet t'i jepet roli i shqiptuesit të dënimit lidhur me çështjet kur nuk respektohet ligji dhe vendimi i tyre.
Në fund, udhëheqësi i takimit, deputeti Sami Kurteshi falënderoi të pranishmit të cilët me vërejtjet dhe sugjerimet e tyre kontribuuan në hartimin e një ligji funksional dhe të zbatueshëm.