Lajmet e fundit
Nga vizita zyrtare e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… në Zagreb
E Marte, 27.03.2018
Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga Albulena Haxhiu, kryetare, Hajdar Beqa dhe Bahrim Shabani, zëvendëskryetarë, si dhe anëtarët: Korab Sejdiu dhe Bilall Sherifi, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Kroaci (26-27 mars). Me këtë rast, deputetët vizituan zyrën e Prokurorit të Shtetit të Kroacisë për ndalimin krimit të organizuar USKOK. Delegacioni u prit nga Dinko Cvitan, kryeprokuror i Shtetit të Kroacisë.
Gjatë këtij takimi u diskutua për funksionimin e USKOK-ut dhe për kompetencat në raport me prokuroritë tjera. Po ashtu, ata u njoftuan rreth transferit të prokurorëve, performancës, rastet e hetuara dhe të fituara nga ky institucion, etj. Ndërkaq, u sqarua se USKOK-u, është i specializuar për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, me seli në Zagreb dhe se është kompetente për gjithë territorin e Republikës së Kroacisë.
Në vijim, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, u takua edhe me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar për monitorim të implementimit të strategjisë Anti- Korrupsion, të kryesuar nga Zeljko Jovanovic.
Gjatë këtij takimi u diskutua për rolin e Këshillit në mbikëqyrjen e zbatimit të strategjisë dhe planit të veprimit. Po ashtu, u sqarua edhe rreth përbërjes së Këshillit. Sipas tyre Këshilli Kombëtar ka kryetarin, nënkryetarin dhe nëntë anëtarë, deputetë të parlamentit, përfaqësues të punëdhënësve, përfaqësues të sindikatave dhe përfaqësues jo-qeveritarë që merren me çështjet e korrupsionit, përfaqësues të shoqërisë akademike, profesionistë dhe përfaqësues të medias.
Ata theksuan faktin se kryetari i Këshillit Kombëtar zgjidhet nga radhët e përfaqësuesve të opozitës.
Katër anëtarë të Këshillit Kombëtar zgjidhen nga radhët e deputetëve që kanë shumicë parlamentare dhe dy nga përfaqësuesit e pakicës-opozitës parlamentare.
Kurse anëtarët që vijnë nga radhët e punëdhënësve, sindikatat, organizatat joqeveritare që merren me problemin e korrupsionit, komunitetin akademik, ekspertët dhe mediat, u sqarua se i propozojnë Këshillit
Kombëtar një anëtar në bazë të një thirrjeje publike.
Tutje, u diskutua edhe për rolin e këtij Këshilli në procesin e monitorimit të strategjisë në nivel lokal dhe qëndror.